Hajdari: Kosova tash do të përfaqësohet vetë në CEFTA, pa UNMIK-un

Hajdari: Kosova tash do të përfaqësohet vetë në CEFTA, pa UNMIK-un

Ekonomia October 09, 2024 - 16:34

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka thënë se nga sot Kosova nuk do të përfaqësohet më me emrin UNMIK në Marrëveshjen e Tregtisë të Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA).

Në një konferencë për media pas përfundimit të mbledhjes së Komitetit të Përbashkët të CEFTA-s, ministrja ka thënë se Kosova do të përfaqësohet si vendet tjera anëtare “pas një pune intensive të Qeverisë së Kosovës”,.

“Ju njoftojmë se në takimin që kemi pasur me CEFTA-n, me Serbinë si udhëheqëse e këtij viti, ku në këtë takim është marrë vendim që përfundimisht pjesëmarrja e UNMIK është larguar dhe kjo ka ardhë pas një pune intensive të Qeverisë së Kosovës. Kosova do të përfaqësohet vetë dhe pa pjesëmarrjen e UNMIK. Qeveria përmes MINT me datë 24 shtator kishte adresuar letrën në sekretariat ku kërkonim largimin e UNMIK-ut, në mënyrë që Kosova të përfaqësohej si vendet tjera anëtare”, ka thënë Hajdari, raporton EO.

Gjermania ka insistuar më së shumti për heqjen e masës. Përfaqësues të këtij shteti kërcënuan se, nëse ajo nuk do të hiqej, Kosova nuk do të ftohet në samitin e Procesit të Berlinit, që mbahet të hënën e ardhshme.

Nga dhjetori i 2021-tës, Kosova ka pezulluar pjesëmarrjen në Marrëveshjen për Tregti të Lirë mes vendeve të Evropës Qendrore (CEFTA), pasi Serbia, Bosnjë-Hercegovina dhe Moldavia kanë refuzuar që të diskutojnë për largimin e Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) si përfaqësues i Kosovës brenda marrëveshjes rajonale të tregtisë.

Pas tre vjetësh bllokadë, zyrtarë të Qeverisë kanë deklaruar së fundi se Serbia tash e ka kushtëzuar këtë zgjidhje me heqjen e masave të sigurisë së Kosovës në pikat kufitare me Serbinë. Por sipas Jeton Zulfajt, këshilltar i kryeministrit Albin Kurti, masat e Kosovës nuk kanë të bëjnë me tregtinë, por rrjedhin nga kërcënimet ndaj sigurisë së shtetit.

Më 14 dhe 15 tetor, nën drejtimin e kancelarit gjerman Olaf Scholz do të mbahet Procesi i Berlinit, ku synohet të nënshkruhet marrëveshja e tregtisë së lirë. Aktualisht, tregtia e lirë realizohet nëpërmjet CEFTA-s, por Kosova e ka refuzuar këtë rrugë në të kaluarën, pasi përfaqësohej nga UNMIK-u dhe jo si shtet i pavarur.

Procesi i Berlinit është një iniciativë e Qeverisë gjermane nga viti 2014 dhe një platformë e përbashkët për gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, Komisionin Evropian (KE), disa vende të BE-së dhe Britaninë e Madhe që synon të mbështesë afrimin e vendeve të rajonit me Bashkimin Evropian.

Marrëveshjet në kuadër të CEFTA-s miratohen nga Komiteti i Përbashkët në formën e Vendimeve, Protokolleve Shtesë ose Rekomandimeve. Aktualisht, dhjetë marrëveshje të tilla janë në pritje të miratimit në fusha të ndryshme si tregtia elektronike, shërbimet e shpërndarjes së pakove, parandalimi i bllokimit të pajustifikuar gjeografik, kualifikimet profesionale, pronësia intelektuale, menaxhimi i rrezikut, shërbimet e agjencive të udhëtimit, njohja e operatorëve ekonomikë të autorizuar dhe zgjidhja e mosmarrëveshjeve tregtare.