Numër i vogël i maunave me mallra nga Serbia në Merdar
Foto: Laura Hasani

Numër i vogël i maunave me mallra nga Serbia në Merdar

Ekonomia October 08, 2024 - 23:53

Hapja e kufirit për mallrat serbe, ka bërë që kamionët me prodhime nga fqinji verior i Kosovës të nisin të vijnë këndej kufirit.

Megjithatë, numri i tyre raportohet të jetë i vogël.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës Adriatik Stavileci ka thënë për RTKlive se maunat me mallra që kanë origjinë nga Serbia kanë qarkulluar pa ndonjë problem, por numri i tyre gjatë ditës së sotme ka qenë i vogël.

Në ndërkohë, transmetuesi publik thotë të ketë qëndruar në Merdar, ku kanë biseduar me shoferët e kamionëve që po vinin këndej kufirit.

Ata citohen të kenë thënë se nuk ka pritje të gjata, përpos ndryshimit të procedurave gjatë kontrollit.

Vetë ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla tha sot gjatë ditës se bazuar në vlerësimin e situatës së sigurisë nga ana e MPB-së, në pikëkalimin kufitar Merdarë, për mallrat me origjinë nga Serbia do të kalohet nga faza e qarkullimit të kufizuar të mallrave në fazën e qarkullimit të mallrave me kontrolle manuale të sigurisë.

Andaj, siç bëri të ditur ai, me efekt të menjëhershëm, pika kufitare në Merdar do të jetë e hapur për të gjitha mallrat, të cilat do t’i nënshtrohen kontrolleve manuale të sigurisë deri në funksionalizimin e skanerëve me rreze X.

Pikat tjera kufitare me Serbinë do të hapen për të gjitha mallrat në momentin kur skanerët me rreze X bëhen funksionalë në ato pika kufitare.