Oda Amerikane mirëpret vendimin e Qeverisë për largimin e barrierave në tregtinë e mallrave
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë përshëndet vendimin e sotëm të Qeverisë së Kosovës për ndryshimin e masës së sigurisë për produktet e importuara nga Serbia.
“Për më shumë se një vit Oda Amerikane ka përsëritur se një vendim i tillë ka pasur ndikim negativ në interesat komerciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, por edhe ka qenë në kundërshtim me frymën e promovuar nga Marrëveshja për Tregtinë e Lirë e Evropës Qendrore (CEFTA), por edhe zotimet e ndërmarra nga Kosova në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian”, thuhet në reagim.
Sipas Odës Ekonomike Amerikane (OEA), për më tepër, masa e tillë ka rrezikuar kështu edhe pjesëmarrjen e Kosovës në nismat e bashkëpunimit rajonal, me pasoja të rënda për ekonominë dhe procesin e integrimit euroatlantik të Kosovës.
“Duke pasur parasysh që njëri ndër synimet kryesore të CEFTA-së përfshin reduktimin e kostove të tregtisë dhe prodhimit, përmes eliminimit të barrierave të lëvizjes së mallrave, Oda Amerikane i bën thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës që sa më shpejt të jetë e mundur të fuqizojë mekanizmat e kontrollit në të gjitha vendkalimet kufitare, ashtu që masa aktuale e sigurisë të mundë të shfuqizohet në tërësi”, theksohet në reagim.
OEA-ku bën të ditur se hapi i sotëm i Qeverisë së Kosovës është megjithatë inkurajues dhe dëshmi se Kosova mbetet e përkushtuar në promovimin e lëvizjes së lirë të mallrave ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe avancimit të përpjekjeve për krijimin e tregut të përbashkët rajonal.
“Oda Ekonomike Amerikane beson fuqishëm në idenë e lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit, prandaj u bën thirrje Kosovës dhe të gjitha shteteve pjesëmarrëse në nismat rajonale që të punojnë së bashku për largimin e të gjitha barrierave ekzistuese që pamundësojnë realizimin e katër lirive të cekura më lart, e në këtë aspekt edhe eliminimin e barrierave të shumta me të cilat ballafaqohen prodhuesit nga Kosova në përpjekjet e tyre për eksport apo kalim transit në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë”, thuhet në reagim. /Zëri