Bije për 35 për qind konsumi i energjisë elektrike në veri të vendit
Kryeshefi i KOSTT-it, Evetar Zeqiri, njofton se pas fillimit të operimit të ndërmarrjes Elektrosever Sh.p.k, nga 1 janar 2024, dhe marrjes përsipër të nominimit të energjisë elektrike për konsumatorët në komunat veriore, kur për herë të parë ka filluar të faturohet energjia e konsumuar në pjesën veriore.
Zeqiri, në një postim në Facebook, shkruan se për këtë, është bërë një krahasim i konsumit të energjisë elektrike për tetë muajt e parë të vitit 2024 krahasuar me tetë muajt e vitit 2023.
“Ajo çfarë vërehet është se ka rënie të dukshme në konsum të energjisë elektrike. Për tetë muajt e parë të këtij viti (Janar-Gusht), gjithsejtë për 35% më pak ka rënë konsumi i energjisë elektrike krahasuar me konsumin e vitit paraprak”, ka shkruar Zeqiri në Facebook.
Sipas kryeshefit të KOSTT-it, fillimi i pagesës së energjisë elektrike, masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës për luftimin e informalitetit, masat për energji efiçiente që janë ndërmarrë vitet e fundit dhe vetëdijesimi i qytetarëve, mund të kenë ndikuar në konsum më të ulët në pjesën veriore.