AKB: Në katër vitet e fundit janë mbyllur rreth 18 mijë biznese
Një hulumtim i Aleancës Kosovare të Bizneseve ka gjetur se gjatë periudhës katërvjeçare, rreth 18 mijë biznese janë mbyllur në Kosovë dhe se 20 mijë punëtorë kanë mbetur pa punë.
Megjithëse të dhënat e ATK-së tregojnë për mbi gjashtë mijë biznese të mbyllura, kryetari i Aleancës së bizneseve , Agim Shahini, thotë se ky është numri real i bizneseve të mbyllura.
Në katër vitet e fundit janë mbyllur rreth 18 mijë biznese dhe kanë mbetur pa punë rreth 20 mijë punëtorë, sipas një hulumtimi të Aleancës Kosovare të Bizneseve. Kryetari i saj, Agim Shahini, tha se ky është numri real i bizneseve të mbyllura, megjithëse zyrtarisht numri është më i ulët.
“Neve na del që kemi zyrtarisht rreth 6 733 biznese të mbyllura zyrtarisht në katër vitet e kaluara. Këto biznese kanë operuar ndër vite dhe supozohet se kanë pasur rreth tre të punësuar, që në total del se pa punë kanë mbetur rreth 20 mijë punëtorë”, tha ai.
Shahini ka shprehur shqetësimin se procedurat e mbylljes janë të rënduara, andaj ka kërkuar që Qeveria t’i lehtësojë këto procedura, në mënyrë që edhe të dhënat të jenë të sakta.
Teksa ka publikuar një studim për trendin e ndërmarrësisë dhe punësimit në Kosovë, Shahini foli edhe për bizneset e hapura gjatë periudhës janar 2020-2024
“Nëse flasim për bizneset e hapura brenda katër viteve të kaluara, në Kosovë janë hapur rreth 42 mijë e 957 biznese të sektorëve të ndryshëm. Këto biznese supozohet që kanë punësuar rreth 55 mijë e 440 punëtorë, mesatarisht 1,3 të fuqisë punëtore”, tha tutje Shahini.
Në Administratën Tatimore të Kosovës deri në korrik të këtij viti janë të regjistruara 128 mijë e 177 biznese. /express