Peci në Festivalin Global Shqiptar të Gastronomisë në Berlin - promovohen agrobiznese mbarëshqiptare

Peci në Festivalin Global Shqiptar të Gastronomisë në Berlin - promovohen agrobiznese mbarëshqiptare

Ekonomia October 03, 2024 - 10:19

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së Festivalit Global Shqiptar të Gastronomisë, i cili është duke u mbajtur në Arena Halle në Berlin.

Sipas njoftimit, bëhet e ditur se në këtë festival po promovohen prodhues, biznese e agrobiznese mbarëshqiptare, të cilët do të kenë edhe mundësinë e ndërtimit të urave të reja të bashkëpunimit.

Ministri Peci ka treguar se MBPZHR-ja mbështet pjesëmarrjen e Unionit të Turizmit të Kosovës, si promovues të potencialit agroturistik, si dhe Shoqatën e Verëtarëve të Kosovës, si sinonimin e cilësisë së sektorit të verëtarisë.

“Turizmi dhe diaspora kanë rritur kërkesën për autenticitetin e shijes shqiptare. Kjo lidhet me hapjen e kufijve, nevojën për të shijuar, rivitalizuar shijen, gërshetuar e sprovuar bukën e vjetër në pjatë të re. Trashëgimia buknore shqiptare është bërë sikurse sofra, një rreth që na bashkon rreth flisë rrethore/diellore, pranë së cilës vendosen produktet e tjera, që nga tërhana e deri te djathi i Sharrit”, ka thënë ministri Peci.

Ndër të tjera, ai ka theksuar se kulinaria shqiptare shquhet për pjekjen mbi zjarr, bulmetin origjinal dhe barishtet lokale. E kur këtyre u shtohet mikpritja shqiptare kjo kuzhinë bëhet unike në sofrën globale.

Ndryshe, Festivali Global Shqiptar i Gastronomisë do të jetë i hapur edhe sot për promovimin e potencialit zhvillimor që ka sektori i agroturizmit dhe ekoturizmit në Kosovë. /Zëri

Image

Image

 

Image