LVV-ja lëshon mbledhjen, dështon votimi i buxhetit të Prishtinës për vitin 2025
Foto: Laura Hasani

LVV-ja lëshon mbledhjen, dështon votimi i buxhetit të Prishtinës për vitin 2025

Ekonomia September 30, 2024 - 11:39

Në mbledhjen e jashtëzakonshme, e mbajtur të hënën, Kuvendi Komunal i Prishtinës nuk ka arritur ta miratojë buxhetin për vitin 2025, pasi partia më e madhe opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, lëshoi mbledhjen e sotme, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës nuk ka marrë pjesë fare në këtë seancë.

Asamblistë të opozitës arsyetuan vendimin duke thënë se nuk janë mbajtur dëgjime publike paraprakisht dhe se kjo e bën joligjor buxhetin e propozuar.

E kryetari Përparim Rama theksoi se po bllokohen projektet e kryeqytetit për inate politike.

Shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Gëzim Sveçla, ka thënë se si parti nuk janë konsultuar në lidhje me buxhetin e propozuar.

Ai ka thënë se ky buxhet nuk i shërben Prishtinës, por që “është buxhet zgjedhor i LDK-së i krijuar nga zyrtarë të LDK për interesat e tyre partiake”.

“Nuk i keni votat e nevojshme, e keni sjellë draftin e njëjtë, mendësi të njëjtë. Siç e dini ky është një moment vendimtar që determinon vizion për zhvillim. Është moment kritik dhe se LVV-ja nuk mund të mungojë siç nuk ka munguar asnjë herë në raste të tilla. Kemi përkrahur dhe kemi mbështetur çdo iniciativë që është në të mirë të kryeqytetit. Për këtë buxhet as nuk jemi pyetur as nuk jemi konsultuar. Vazhdojmë të mendojmë që ky buxhet nuk i shërben Prishtinës, por është buxhet zgjedhor i LDK-së i krijuar nga zyrtarë të LDK-së për interesat e tyre partiake, për ta shtyrë përpara agjendën zgjedhore”, ka thënë ai.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se buxheti është i gjatë dhe transparent që mundëson zhvillimin e kryeqytetit.

“Gjithë procedurat i kemi diskutuar dhe përpilimi i buxhetit është një proces shumë transparent dhe gjithë kërkesat e qytetarëve shkojnë nëpër drejtori përkatëse. Ky buxhet mundëson transformimin dhe zhvillimin e kryeqytetit”, tha ai, raporton EO.

Projekt zhvillimor për kryeqytetin e cilësoi fillimisht drejtoresha e Financave në Komunën e Prishtinës Valbona Makolli, e cila tha se buxheti për vitin 2025 kap vlerën mbi 128 milionë euro.

“Sipas qarkores buxhetore të ndarë nga Ministria e Financave për vitin 2025, për kryeqytetin janë paraparë 128.100.224 euro buxhet për Prishtinën. Dallimi është mbi 4 milionë euro”, tha ajo.

Por Nora Kelmendin nga LVV-ja tha se ky buxhet i propozuar nuk ka vizion për zhvillimin e qytetit dhe se nuk është në përputhje me vizionin që kryetari i kryeqytetit ka paraqitur në fushatën zgjedhore.

“Në këtë buxhet nuk po e shohim vizion për zhvillimin e qytetit. Ky buxhet duhet që të jetë në përputhje edhe me vizionin tuaj. Ky buxhet është punuar vetëm sa për sy e faqe. Në këtë buxhet nuk ka projekte, por ka tenderë. Është koha e fundit që ju si kryetar të reflektoni e të punoni sepse ju ka mbetur vetëm edhe një vit qeverisje. Jam e bindur se ju si LDK sot e 100 vjet nuk do ta fitoni më Prishtinën”, tha ajo.

Mbështetje për këtë buxhet kërkoi shefja e Grupit të Asamblistëve të LDK-së në Prishtinë, Jeta Rafuna.

Ajo tha se buxhet është themel për të gjitha projektet për vitin e ardhshëm, teksa ftoi partitë politike ta votojnë.

“Është buxhet që është themel për të gjitha projektet për vitin e ardhshëm. U bëj thirrje partive politike të mos e bllokojnë këtë. Bllokimi i pakuptueshëm rrezikon mirëqenien e qytetarëve të Prishtinës. Vota për këtë buxhet është për shëndetësi më të mirë, zhvillim ekonomik, për një jetë më të mirë dhe te dinjitetshme për qytetarët tanë. Si LDK asnjëherë edhe kur kemi qenë opozitë nuk kemi qenë bllokues të buxhetit të Prishtinës”, u shpreh ajo.

Përkrahje këtij propozimi i kanë dhënë edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate.