Kompania “Lidl” regjistron një përfaqësi në Kosovë, po analizon kushtet e tregut
Ditëve të fundit në Kosovë kanë qarkulluar një numër i madh i lajmeve rreth rrjetit të marketeve “Lidl”. Fillimisht ishte paralajmëruar në muajin prill të këtij viti se “Lidl” do të hapte dyqanin e saj të parë në Kosovë, por kjo gjë nuk ka ndodhur akoma, duke çuar edhe në raportime të pavërteta rreth tërheqjes së tyre nga plani për të investuar në vendin tonë.
Është vetë kompania “Lidl”, e cila në një përgjigje për Zeri.info ka thënë se janë të vetëdijshëm për shumë informacione që po qarkullojnë në tregun e Kosovës për këtë kompani, ndërsa konfirmuan se janë akoma duke analizuar kushtet e tregut dhe se tashmë është regjistruar një përfaqësi e tyre.
“Është e saktë që aktualisht jemi duke analizuar tregun në Kosovë dhe se është regjistruar një përfaqësi. Ju lutemi kuptoni se ne nuk mund të bëjmë deklarata konkrete në lidhje me vendndodhjet e mundshme të dyqaneve ose datat e hapjes në këtë moment”, thuhet në përgjigjen që “Lidl” i ka dhënë Zërit.
Kujtojmë se gjatë vitit 2022 një delegacion i kësaj kompanie ka vizituar Kosovën, ndërsa ministrja e Tregtisë dhe Industrisë ia ka propozuar gjiganti të rrjeteve të marketeve tri lokacione si të përshtatshme për investim në Kosovë, por deri tani duket se akoma vetëm është duke u studiuar tregu, pasi nuk është hapur asnjë dyqan i tillë.
Ndryshe, “Lidl” GmbH & Co KG është një zinxhir ndërkombëtar gjerman i shitjeve me pakicë me zbritje që operon mbi 11.000 dyqane në të gjithë Evropën dhe Shtetet e Bashkuara. /Zëri