Ekonomistët thonë se rritja ekonomike 3.9% është e pamjaftueshme për një vend të varfër si Kosova
Njohësit e çështjeve ekonomike po e vlerësojnë të pamjaftueshme rritjen ekonomike prej 3.9 për qind për këtë vit, sipas parashikimeve të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).
Ata kanë thënë se një rritje e tillë, për një vend të varfër si Kosova, nuk ofron një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik e as nuk garanton stabilitet social.
Profesori universitar, Medain Hashani, ka thënë se kjo është rritja më e ulët në historinë e Kosovës që nga paslufta, ndërsa kombinuar me një inflacion mesatar rreth 29 për qind në tre vitet e fundit, stabiliteti ekonomik dhe buxhetor në vend është në rrezik.
Ndërsa, për të arritur një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, sipas Hashanit, rritja duhet të jetë dyshifrore.
“Rritja ekonomike 3.9 për qind tregon një vend siç është Kosova, një vend mjaft të varfër, ku edhe në bazë të statistikave të cilat janë prezantuar nga EUROSTAT del se Kosova është e dyta nga vendet e botës që është me e varfra në raport me vendet të tjera. Kjo tregon që një vend për me pasur një zhvillim ekonomik të hovshëm, rritjen ekonomike duhet ta ketë dy shifrore, sepse me një rritje ekonomike 3.9 për qind, ndërsa nëse e masim inflacionin mesatar, që për tre vite ka kaluar 29 për qind, tregon që kemi një destabilitet buxhetor dhe destabilitet ekonomik”, ka thënë Hashani.
Tutje, profesori ka thënë se edhe kreditë janë rritur në masë të madhe, në mënyrë që “qytetarët ta mbulojnë vakumin e inflacionit”.
Kjo, siç ka thënë ai për EO, ka bërë që të rriten edhe normat e interesit nga bankat komerciale në Kosovë.
Ai ka thënë se qeveria aktuale nuk ka bërë asnjë projekt madhor që do të kishte ndikim në rritjen ekonomike dhe se një rritje nën 4 për qind, sipas tij, është rritja më e ulët në historinë e Kosovës që nga paslufta.
“Qytetarët tani janë duke marrë kredi që ta mbulojnë vakumin e inflacionit në mënyrë që ta kenë jetën siç e kanë pasur para tre vitesh. Kjo është treguar edhe në statistikat e fundit që kreditë janë rritur në masë të madhe nga ana e qytetarëve në nivel të përgjithshëm të vendit dhe kërkesa për kredi është mjaftë e lartë, saqë ka ndikuar që edhe interesi të rritet në bankat komerciale, në të njëjtën kohë të rritet edhe interesi në depozitat e qytetarëve”.
“Ne jemi një vend me një ekonomi mjaft të cunguar, nuk ka zhvillim ekonomik edhe rritja ekonomike që ka ndodhur në vitet e më hershme, në qeveritë e kaluara ka ndodhur si rezultat i investimeve kapitale që janë bërë. Ndërsa në qeverisjen e tanishme ne nuk kemi parë, unë personalisht nuk kam parë, ndonjë projekt të madh që është bërë nga kjo qeveri që mund të mburremi se ka krijuar rritje ekonomike në atë pjesë për kapacitet të vazhdueshëm të mundshëm të zhvillimit ekonomik sepse nuk mund të kemi zhvillim ekonomik pa pasur rritje ekonomike dhe rritja ekonomike nën 4 për qind është rritja më e ulët në historinë e Kosovës që nga pas lufta”, ka thënë ai.
Edhe ish-kryetari i Odes Ekonomike të Kosovës, Safet Gerxhaliu, ka thënë se Kosova ka nevojë për një rritje ekonomike substanciale dhe jo vetëm numerike. Sipas tij, rritja prej 3.9 për qind nuk ofron një zhvillim të qëndrueshëm.
“Të dilet me parashikime të tilla se do të këtë 3.9 për qind rritje ekonomike është një fontanë dëshirash. Kosova nuk ka nevojë për rritje numerike, ka nevojë për rritje substanciale. Kosovës shumë më tepër i konvenon një rritje ekonomike, por të ketë disa indikatorë pozitivë ekonomik se sa të kemi 3.9, 4, apo 5 për qind rritje ekonomike e cila bazohet vetëm në konsum. Konsumi nënkupton eksportim të parasë së gatshme, rritje të importit. Krahas rritjes së importit, kemi importim të inflacionit dhe në këtë drejtim me më shumë gjenerojmë ngufatje sesa zhvillim ekonomik të qëndrueshëm”, ka thënë ai.
Gërxhaliu ka thënë se Kosova mund të arrijë një rritje ekonomike të qëndrueshme vetëm atëherë kur vendi të ketë një sektori privat të fuqishëm që mbështetet, e nuk penalizohet, nga qeveria.
“Kur ta kemi një sektor privat të fuqishme i mbështetur nga institucionet e jo gjithmonë i penalizuar, ka hapësirë për të dëshiruar që Kosova do të arrijë rritje ekonomike, jo 3.9 për qind por edhe më tepër. Nëse do të kemi rritje ekonomike 3.9 për qind kjo nuk garanton zhvillim ekonomik, nuk garanton stabilitet social, nuk garanton përmirësim të imazhit”, ka thënë Gërxhaliu. /EO.