ATK-ja me 62.9 milionë euro më shumë tatime të mbledhura këtë vit
Të hyrat tatimore për periudhën janar - gusht 2024 kanë shënuar rritje të konsiderueshme, duke i krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar se të hyrat për këtë periudhë janë rritur për 62.9 milionë euro, duke reflektuar pozitivisht në përpjekjet e vazhdueshme për përmirësimin e performancës dhe zbatimin e reformave strategjike.
“Totali i të hyrave të inkasuara ka arritur në 642.0 milionë euro tatime, duke shënuar kështu rritje të qëndrueshme për buxhetin e shtetit. Kjo rritje lidhet drejtpërdrejt me zbatimin e reformave të rëndësishme, që kanë për qëllim përmirësimin e efektivitetit dhe rritjen e transparencës”.
“Ndikimi i reformave të ndërmarra përfshin digjitalizimin e proceseve të punës, trajtimin e borxheve tatimore, krijimin e kanaleve për raportim të rasteve korruptive, luftimin e evazionit tatimor, rritja e përgjegjësisë dhe llogaridhënia janë disa nga reformat të cilat kanë ndihmuar në ngritjen e performancës”, thuhet në njoftimin e ATK-së. /Zëri