Ndërmarrja “Trepça”: Vendimet do të ndikojnë në rritjen e prodhimit
Ndërmarrja Trepça, ka njoftuar se është duke marrë një sërë vendimesh për transferimin dhe sistemimin e përkohshëm të punonjësve, që sipas tyre do të ndikojnë në rritjen e prodhimit.
“Vendimet synojnë të rrisin prodhimin dhe të mbështesin operimet në dy njësitë biznesore të minierave me flotacion Trepça – Stan Tërg dhe Kishnicë – Artanë”, thuhet në njoftim.
Tutje, bëhet e ditur se gjashtë nëpunësve u janë caktuar detyra në njësitë biznesore të Ndërmarrjes Trepça, ndërsa janë bërë rreth 80 sistemime në ecurinë e prodhimit në njësinë Trepça – Stan Tërg, punëtorë këta të cilët kanë lëvizur ndër vite nga Miniera në sipërfaqe.
“Për më tepër, 46 minatorëve të rinj do t’u vazhdohen kontratat e punës, në saje të performancës së tyre dhe kërkesës për prodhim të shtuar. Trepça po përgatit gjithashtu trajnimin dhe certifikimin e 19 minandezësve , duke u mbështetur në udhëzimin e ri që ka nxjerrë Ministria e Punëve të Brendshme”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, javën e kaluar, menaxhmenti i ndërmarrjes ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme afariste në dy njësi kryesore.