Trusti me tre miliardë euro nën menaxhim
Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës (FKPK) për herë të parë ka arritur vlerën e tre miliardë eurove të mjeteve neto nën menaxhim në fundin e gushtit 2024.
Trusti ka njoftuar se gjatë periudhës janar-gusht 2024 mjetet nën menaxhim u ngritën për më shumë se 300 milionë euro, duke i krahasuar me fundvitin 2023.
“Ngritja e këtij tetëmujori erdhi nga kontributet e reja (rreth 200 milionë €) dhe kthimi nga investimet (rreth 165 milionë €). Por njëkohësisht rreth 60 milionë € u zbritën nga fondi për pagesat mujore të pensioneve dhe shpenzimet e tjera”.
“Prej fillimit të operimit të FKPK-së (në vitin 2002), njëmiliardëshi i parë i mjeteve neto nën menaxhim është arritur në vitin 2014, ndërsa dymiliardëshi në vitin 2021”.
“Vlerësuar në tërësi, mjetet që FKPK-ja i ka aktualisht nën menaxhim përbëhen prej pagesave të kursimeve pensionale nga kontribuuesit (rreth 78%, ose 2.34 miliardë €) dhe kthimi nga investimet (rreth 22%, ose 660 milionë €)”, thuhet në njoftimin e Trustit.
Përveç mjeteve aktuale nën menaxhim, prej themelimit e deri më tani janë tërhequr edhe rreth 675 milionë euro nga përfituesit e FKPK-së (duke përfshirë këtu edhe rreth 200 milionë nga tërheqja e parakohshme për 10-përqindëshin). /Zëri