Ekzekutohen sot pagat në sektorin publik, Murati: Secili do t’i përfitojë nga 6.8 euro më shumë
Foto: Laura Hasani

Ekzekutohen sot pagat në sektorin publik, Murati: Secili do t’i përfitojë nga 6.8 euro më shumë

Ekonomia August 30, 2024 - 13:37

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se sot do të ekzekutohen pagat në sektorin publik, për herë të parë me ndryshimet në shkallët tatimore.

Kësisoj, Murati tha se të ardhurat deri në 250 euro janë të liruara nga tatimi.

“Pagat në sektorin publik sot ekzekutohen duke aplikuar shkallët e reja të tatimit në të ardhura personale, ku 250 eurot e para janë të liruara nga tatimi”, tha Murati.

“Si rezultat i këtij ndryshimi, secili punonjës në Kosovë nga ky muaj e tutje do të paguajë më pak tatim, e rrjedhimisht do të marrë pak më shumë pagë neto”.

Duke llogaritur përfitimet e punëtorëve, ai tha se në tërësi bëhet fjalë për 2.3 milionë euro në muaj më shumë paga neto sesa në muajin paraprak.

“Përfitimi mujor prej 6.8 eurove, ose vjetor prej 81.6 eurove, dikujt mund të mos i duket shumë, mirëpo nëse e shohim në tërësi, janë rreth 2.3 milionë euro në muaj, ose rreth 27 milionë euro në vit, që nuk do të mblidhen si tatim nga shteti, por do të mbesin në xhepat e qytetarëve”, tha Murati.