Kush po manipulon me shifrat e punësimit? Bajrami dhe Murati debatojnë ashpër në Facebook
Foto: Laura Hasani

Kush po manipulon me shifrat e punësimit? Bajrami dhe Murati debatojnë ashpër në Facebook

Ekonomia August 29, 2024 - 15:02

Shifrat e punësimit kanë nxitur përplasjen e radhës në rrjetin social Facebook mes ish-ministres së Financave Hykmete Bajramit dhe ministrit aktual, Hekuran Murati.

Ishte fillimisht deputetja Bajrami që i reagoi kryeministrit Albin Kurti, duke thënë se po mashtron dhe se nuk ka rritje të punësimit prej 20 për qind.

Pas kësaj reagoi ministri i Financave Hekuran Murati, i cili tha se deputetja duke dashur të demantojë atë që ka thënë Kurti, vetëm sa e konfirmoi një gjë të tillë.

“Deputetja Bajrami qenka mundu me e demantu kryeministrin për shifrat e punësimit, por në fakt krejt çfarë paska arritur të bëjë është që së pari ta shpërfaqë mungesën e njohurive të veta për temën në fjalë, dhe së dyti, edhe me të dhënat që vetë deputetja ka përdorur në fakt e ka konfirmuar atë çfarë ka thënë Kryeministri, pra që ka rritje të punësimit”, shkroi Murati.

E pas kësaj ka reaguar sërish ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami. Bajrami i ka thënë Muratit se të dhënat që ka prezantuar janë mashtrime.

“Ministër, prapë me manipulime e me shifra të përzgjedhura a? Edhe një herë e vërteta e vetme është se vende pune të qëndrueshme, që për 12 muaj kanë paguar kontribute në Trust janë: 10 179 në vitin 2020 (pandemi), 16 877 në vitin 2021, 15 833 në vitin 2022, 12 551 në vitin 2023. Këto janë të dhënat e sakta, të tjerat janë mashtrime”, shkroi Bajrami.

Ajo tutje ka thënë se tabela që ka përdorur ministri Murati po e demanton atë.

“Përndryshe, tabela që ke përdorë po të demanton ty, sepse po thotë se i ke 853 mijë llogari aktive, andaj sipas interpretimit tënd po i bie që në Kosovë janë 853 mijë të punësuar, por unë, ti edhe secili qytetar e dimë që 853 mijë të punësuar në vend nuk i kemi”, shkroi Bajrami.

Deputetja ka shtuar se të punësuar të vërtetë brenda një viti janë ata që paguajnë Trust rregullisht, sipas të dhënave më lart.

“Për sqarim: llogari të reja mund të ketë, por këtu hyjnë edhe ata që kanë paguar kontribut vetëm një herë gjatë këtij viti ose atyre që me skema Hekurani ua paguan 260 euro për 6 muaj edhe kur nuk shkojnë fare në punë, por të punësuar të vërtetë brenda një viti janë ata që paguajnë Trust rregullisht, sipas të dhënave me lart”, u shpreh ajo.