Rizvanolli, minatorëve: Jemi të gatshëm të investojmë, por vetëm kur të vihet në vend drejtësia

Rizvanolli, minatorëve: Jemi të gatshëm të investojmë, por vetëm kur të vihet në vend drejtësia

Ekonomia August 23, 2024 - 22:39

Ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli, thotë se nuk ka kufi për vlerën që si qeveri janë të gatshëm për të investuar në “Trepçë”, por siç thekson ajo kjo do të ndodhë vetëm kur të vihet në vend drejtësia.

Ajo thotë se pajtohen me minatorët në qëllime dhe parime, ndërsa shtoi se kjo u konfirmua sot gjatë bashkëbisedimit me punonjësit e minierës së Stantërgut, gjatë një vizite në Mitrovicë me ministrin e Brendshëm Xhelal Sveçlën.

“Kryeministri javën që shkoi e tha një të vërtetë të pamohueshme. Në Trepçë sot një minator duhet të nxjerrë xehe mjaftueshëm për të paguar pagat për më shumë se 10 punonjës të tjerë. Kjo është jo vetëm e pamundur por edhe thellësisht e padrejtë. Sikur kjo të mos mjaftonte, gjatë ditëve të fundit kemi parë se si persona të caktuar kanë qenë duke marrë pagë nga Trepça, pa shkuar fare në punë, madje disa thuhet me muaj e vite të tëra. Të tjerë janë suspenduar për keqpërdorim të detyrës zyrtare e shkelje të tjera të rënda”, shkruan në postimin e Rizvanollit.

“Në Trepçë përfundimisht duhet të ndahet punëtori nga jo-punëtori, i drejti nga keqpërdoruesi, puna nga krimi. Fshehja e padrejtësisë e keqpërdorimit ka kaluar shumë gjatë e fshehur prapa ‘djersës së minatorit’”, thuhet tutje aty.

Ministrja thotë se bordi dhe menaxhmenti e kanë përkrahjen e plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës për të siguruar në drejtësi e ligjshmëri, si dhe rritje të prodhimit.

“Kjo, ndër të tjera, do të thotë se ata dhjetëra punëtorë që u pranuan në punë si minatorë, e u nxorën në sipërfaqe për favore, duhet të kthehen e të punojnë përkrah kolegëve të tyre të cilët i kanë lënë vetëm, në numër shumë të vogël”.