IFC-ja dhe SECO, marrëveshje me BQK-në për t’i avancuar shërbimet financiare digjitale

IFC-ja dhe SECO, marrëveshje me BQK-në për t’i avancuar shërbimet financiare digjitale

Ekonomia August 20, 2024 - 13:56

IFC-ja ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK) për të zhvilluar dhe zgjeruar shërbimet financiare digjitale në vend.

Kjo iniciativë është pjesë e një angazhimi më të gjerë të IFC-së për të forcuar ekosistemin financiar të vendit dhe për të përmirësuar qasjen në shërbimet financiare dhe rritjen ekonomike. Kosova është vendi i parë që nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit ndër katër vendet e Ballkanit Perëndimor të përfshira në projekt.

“IFC-ja, në partneritet me Sekretariatin Zviceran për Çështje Ekonomike SECO, do të ndihmojë BQK-në në zbatimin e reformave kyçe në sektorin financiar, përfshirë projektligjin për shërbimet e pagesave dhe do të promovojë iniciativat e bankimit të hapur. Këto angazhime janë të dizajnuara për të krijuar një mjedis rregullativ më mbështetës, duke lejuar pjesëmarrësit në tregun financiar në Kosovë të zhvillojnë produkte dhe shërbime inovative për të përmbushur nevojat e individëve dhe bizneseve”.

“Qëllimet e projektit përfshijnë promovimin e qasjes në financa, duke shtyrë investimet në bankingun digjital, fintech, financat e integruara, si dhe investimet nga fonde të ndryshme dhe investime në kapital privat. Projekti fokusohet në reforma të politikave dhe infrastrukturës dhe gjithashtu të lehtësojë financimin prej 45 milionë dollarësh nga IFC-ja dhe investitorë privatë për banka, institucione mikrofinanciare dhe fintech në gjithë rajonin. Këto përpjekje pritet të lehtësojnë qasjen e bizneseve dhe konsumatorëve në një gamë të gjerë shërbimesh financiare digjitale në Kosovë”, thuhet në komunikatën për media.

“Kjo marrëveshje shënon një hap të rëndësishëm përpara në planin dhe objektivat tona strategjike për të avancuar digjitalizimin, përmirësimin e infrastrukturës së tregut, për të rritur qasjen në financa dhe për të promovuar edukimin financiar. Jemi mirënjohës për mbështetjen e IFC-së dhe besojmë se ky bashkëpunim do të jetë thelbësor për avancimin e ekosistemit tonë financiar digjital, që nxit inovacionin duke ruajtur standarde të qëndrueshme rregullative”, tha më rastin e nënshkrimit të marrëveshjes, Ahmet Ismaili, guvernatori i BQK-së.

Bashkëpunimi gjithashtu përfshinë iniciativat për ngritjen e aftësive dhe kapaciteteve: IFC-ja do të ofrojë trajnime për punonjësit e BQK-së mbi praktikat më të mira globale në financat digjitale, duke ndihmuar që korniza rregullative e vendit të zhvillohet në përputhje me standardet ndërkombëtare, duke nxitur inovacionin dhe besimin në sistemin financiar.

“Transformimi digjital krijon mundësi të reja për zhvillim, për ngritje te kapaciteteve institucionale dhe inovacion. Gjithashtu, përshpejton reformat kritike dhe rritë transparencën dhe llogaridhënien. Zvicra e mbështet Kosovën në këto përpjekje”, tha Jean Christophe Favre, udhëheqës i Zhvillimit të Qëndrueshëm Ekonomik në Zyrën për Bashkëpunim të Ambasadës Zvicerane në Prishtinë.

“Programi i Shërbimeve Financiare Digjitale, i implementuar nga IFC-ja në bashkëpunim me Bankën Qendrore të Kosovës, synon të promovojë qasjen në financa duke avancuar themelet e financave digjitale, duke inkurajuar zgjidhje inovative dhe teknologji financiare dhe duke nxitur gjithëpërfshirjen. Nga kjo do të përfitojnë sektori privat dhe publik, si dhe populli i Kosovës”.

“Transformimi digjital është një gur themel i strategjisë ekonomike të Kosovës dhe shërbimeve financiare digjitale të përballueshme janë thelbësore për promovimin e qëndrueshmërisë ekonomike dhe reduktimin e varfërisë”, tha Nicolas Marquier, menaxher rajonal i IFC-së për Ballkanin Perëndimor.

“Duke shfrytëzuar ekspertizën tonë globale, IFC-ja është e përkushtuar të mbështesë Bankën Qendrore të Kosovës në ndërtimin e një sektori financiar dinamik dhe konkurrues, që mund të nxisë një rritje gjithëpërfshirëse”, shtoi ai. /Zëri