Kosova edhe këtë vit mori pjesë në Kampionatin Botëror të Lëvrimit

Kosova edhe këtë vit mori pjesë në Kampionatin Botëror të Lëvrimit

Ekonomia August 19, 2024 - 13:33

Edhe këtë vit Kosova mori pjesë në Kampionatin Botëror të Lëvrimit në mesin e 40 vendeve nga e gjithë bota, i cili kësaj radhe u mbajt në qytetin Tartu të Estonisë e ku i pranishëm ishte edhe ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, i cili nga afër i përcolli garat në këtë kategori.

Në njoftimin e lëshuar thuhet se ministri i BPZHR-së, Faton Peci, gjithashtu pati një takim të frytshëm me ministren e Punëve Regjionale dhe Bujqësisë të Estonisë, Piret Hartman, me ç’rast diskutuan për bashkëpunimin dypalësh në fushën e bujqësisë, shkëmbimin e përvojave dhe përmirësimin e politikave për të mbështetur bujqësinë dhe sektorët e saj, por gjithashtu edhe çështje me interes politik.

“Kosova ka nevojë për përvojën estoneze në digjitalizim dhe integrimin e plotë të tij në prodhimtari. Ky takim është një hap i rëndësishëm drejt forcimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Estonisë. Dy vendet ndajnë vlera të përbashkëta dhe ballafaqohen me sfida të natyrës së njejtë, përfshirë edhe ato të sigurisë”, u shpreh Peci.

Në fund të takimit, të dy ministrat u dakorduan që bashkëpunimin mes dyja vendeve mike ta formalizojnë me nënshkrimin e memorandumit të bashkëpunimit ndërmjet dy ministrive.