“CorrWatch” akuzon Ministrinë e Financave për mostransparencë
Organizata joqeveritare “CorrWatch”, ka akuzuar ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve për mungesë transparence në procesin e rekrutimit për pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të ATK-së dhe pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm në ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve.
Reagimin e “CorrWatch” e ka shpërndarë edhe Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë, teksa organizata tha se ka bërë kërkesën për monitorimin e këtyre dy pozitave për të gjitha fazat e procesit dhe se kërkesat e njëjta janë konfirmuar nga MFPT.
“Megjithatë, edhe përkundër konfirmimit nga MFPT, CorrWatch nuk është ftuar për monitorimin e këtyre dy pozitave. Në rastin e ATK-së, CorrWatch, ka kërkuar që t’i mundësohet rishikimi i aplikacioneve të kandidatëve por ministria ka ofruar qasje vetëm në një raport bazik të tyre, dhe nuk ka lejuar qasjen në dosjet e kandidatëve. Ndërsa sa i përket pozitës së Sekretarit të përgjithshëm në MFPT, CorrWatch nuk është ftuar për t’a monitoruar procesin”.
“Një praktikë e tillë rrezikon që këto procese të mbyllura të jenë subjekt i ndikimeve politike dhe personale, duke minuar kështu besimin e qytetarëve në institucionet publike. Kufizimi i qasjes dhe monitorimit të shoqërisë civile cenon thellësisht transparencën dhe llogaridhënien e këtyre proceseve të rëndësishme. Përfshirja e shoqërisë civile mbetet jetike duke i kontribuar kështu parimeve kryesore te rekrutimit në institucionet publike”, thuhet në reagim.
Më tej, “CorrWatch” tha se përmbajtja e këtij reagimi është përgjegjësi e vetme e organizatave zbatuee dhe nuk i reflekton qëndrimet e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar.