Rukiqi i reagon Muratit: Normal që krijon “fitim”, kur i mban mbi 700 milionë euro të bllokuara
Foto: Laura Hasani

Rukiqi i reagon Muratit: Normal që krijon “fitim”, kur i mban mbi 700 milionë euro të bllokuara

Ekonomia July 21, 2024 - 15:28

Anëtari i Kryesisë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Berat Rukiqi, i ka reaguar ministrit të Financave, Hekuran Muratit, pasi ky i fundit tha “për herë të parë në historinë e shtetit” që Banka Qendrore e Kosovës ka transferuar në llogarinë e shtetit 10.3 milionë euro të fitimit të saj vjetor.

Rukiqi përmes një postimi në rrjetin social Facebook e ka kundërshtuar shefin e kasës se fitimi është kur i mban 700 milionë euro të bllokuara.

“Kjo është bizare dhe ofenduese në të njëjtën kohë. Normal që krijon “fitim”, kur i mban mbi 700 milionë euro të bllokuara, para taksapaguesve, në llogaritë e BQK-së. Duke i mbajt këto para të bllokuara, ne kemi më pak infrastrukturë të duhur, nuk e e kemi asnjë projekt më ndikim në ekonomi, nuk kemi fond të sigurimeve shëndetësore, nuk kemi më shumë çerdhe, nuk kemi teknologji të reja dhe digjitalizim, e shumëçka tjetër”, ka shkruar ai.

Rukiqi ia ka rikujtuar ministrit të Financave që Kosova ende është në sanksione të BE-së, sipas tij, mbajtjen e taksapaguesve e ka quajtur amatorizëm dhe krim.

“Financiarisht jemi të sanksionuar dyfish: nga qeveria dhe nga Bashkimi Evropian. Me i mbajt peng mjetet e taksapaguesve, përveç që është amatorizëm, është edhe krim”, ka thënë ai.