Përmbytjet sërish godasin Dragashin dhe Prizrenin, shkaktojnë dëme të konsiderueshme materiale

Përmbytjet sërish godasin Dragashin dhe Prizrenin, shkaktojnë dëme të konsiderueshme materiale

Ekonomia July 21, 2024 - 08:07

Rajoni i Prizrenit pasditen e së shtunës është goditur rëndë nga reshje të shiut dhe stuhi ku janë shkaktuar edhe përmbytje në disa zona.

Ende pa u riparuar dëmet që shkaktuan përmbytjet e muajit të kaluar në disa fshatra të Dragashit, reshjet e furishme kanë goditur sërish këtë komunë. Pas orës 16:00 të ditës së shtunë, shiu i dendur përmbyti Restelicën, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale.

Përmbytjet në Restelicë dëmtuan sistemin e ujit dhe të kanalizimeve, duke bërë që shumë rrugë të bëhen të pakalueshme dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në shtëpitë e banorëve.

Image

Komuna fqinjë e Dragashit, Prizreni, gjithashtu u përfshi nga reshjet e furishme të shiut, të cilat shkaktuan dëme materiale në disa zona.

Në Nashec, rrebeshi i shiut dhe erërat e forta shkaktuan dëme të konsiderueshme në shtëpi dhe në sera bujqësore.

Banorët raportojnë për humbje të kulturave bujqësore.

Autoritetet lokale janë angazhuar për të vlerësuar dëmet dhe për të ofruar ndihmë emergjente për banorët e prekur.

Image

Ekipet e emergjencave janë në terren për të pastruar rrugët dhe për të rivendosur furnizimin me ujë dhe energji elektrike./Telegrafi