Lansohet “Dritarja për investime të diasporës”
Foto: Laura Hasani

Lansohet “Dritarja për investime të diasporës”

Ekonomia July 16, 2024 - 11:43

Është lansuar zyrtarisht “Dritarja për investime të diasporës”.

Image

Kjo nismë parasheh garantimin e kredive investuese për mërgimtarët. Në ngjarjen lansuese, zyrtarët e shtetit kanë thënë se qëllimi është që të nxiten investimet nga diaspora.

Image

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se ky program parashihet të arrijë deri në 100 milionë euro.

Image

“Në shkurt të 2021-s patëm premtuar qeverisje të drejtë dhe demokratike, politika të reja që do të ndryshojnë imazhin. Dritarja për Investime e lehtëson financimin e projekteve dhe ua mundëson bizneseve të mërgatës që të zgjerohen edhe në Kosovë. Do të mundësohet garantimi i kredive investuese deri në 3 milionë euro, ndërsa e tërë dritarja parashihet të arrijë deri në 100 milionë euro. Kemi shumë raste ku bashkatdhetarët tanë po kthehen për të investuar në Kosovë, për të punuar këtu, sepse Kosova ofron kushte të mirë”, ka deklaruar ai.

Image

Ministri i Financave Hekuran Murati ka theksuar se përmes kësaj dritareje do të mundësohet rritja e investimeve të diasporës.

Image

Ai ka bërë të ditur se Qeveria do t’i ofrojë 8 milionë euro në këtë iniciativë, ndërsa Fondi Kosovar për Garanci Kreditore do t’i ndajë dy milionë euro.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, ka thënë se kur ndërmarrësit nga diaspora kthehen në vend, sjellin më të mirën këtu.

“Qeveria amerikane është krenare që ka ndihmuar në themelimin e këtij programi të ri, sepse kuptojmë mundësinë e rrallë që bizneset nga diaspora prezantojnë. Kur ndërmarrësit nga diaspora kthehen në vend, sjellin më të mirën këtu...Me çeljen e kësaj platforme, shpresojmë të mbështesim më shumë rrëfime suksesi si kjo, krijohen vende të reja të punës”, ka thënë ai.

Image

Drejtori Menaxhues i Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, Besnik Berisha ka thënë se kontributi i diasporës në vend është jashtëzakonisht i madh.

Dritarja për investime të diasporës është skemë e re e ndarjes me të cilën Fondi Kosovar për Garanci Kreditore u ofron investitorëve nga diaspora qasje në kredi për projektet investuese në Kosovë. Ky program parashihet të promovojë rritjen e fluksit të kapitalit privat të diasporës në Kosovë, duke tërhequr investime të reja drejt themelimit të ndërmarrjeve të reja sipërmarrëse ose fuqizimit të bizneseve të sapokrijuara nga diaspora.