“Elektroseveri” me kod postar të strukturave paralele, arsyetimi që dha ZRRE-ja

“Elektroseveri” me kod postar të strukturave paralele, arsyetimi që dha ZRRE-ja

Ekonomia July 11, 2024 - 08:27

E për lëshimin e faturave të energjisë në veri përgjegjës është kompania serbe, “Elektrosever”. Pavarësisht marrëveshjes me institucionet e energjisë kosovare, ata kanë përdorur vazhdimisht kodin postar të strukturave paralele që është “38220”, si dhe termin “Kosovska Mitrovica” që bëjnë shkelje të marrëveshjes. Nga Elektroseveri nuk kanë kthyer përgjigje, mirëpo nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), si autoritet mbikëqyrës kanë thënë se ato kanë qenë gabime teknike.

Kodi postar i strukturave paralele serbe gjendet në faturën e energjisë së “Elektroseverit”.

Madje, në shpërndarje të faturave të rrymës në katër komunat veriore te qytetarët po shkruan edhe termi “Kosovska Mitrovica” që është term jokushtetues.

E me përdorimin e tyre, “Elektroseveri” po e shkel marrëveshjen me institucionet e energjisë në Kosovë.

Këtë ankesë e pati edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi në takimin e kryenegociatorëve më 2 korrik në kryeqendrën evropiane.

Ai tha se ka dallime në qëndrimet mes BE-së dhe Kosovës në lidhje me zbatimin e marrëveshjes për energjinë, duke thënë se autoritetet kosovare kanë “gjetur shkelje” tek “Elektroseveri”.

Tëvë1 ka tentuar të marrë një sqarim nga kjo kompani por ka qenë e pamundur.

Mirëpo “Elektroseveri” ka vendosur t’i japë shpjegime Zyrës së Rregullatorit për Energji.

Në një përgjigje, ZRRE-ja tha se “Elektroseveri” është arsyetuar me gabime teknike.

“Zyra e Rregullatorit për Energji, ka marrë informata se furnizuesi ‘Elektrosever’, në faturat e energjisë elektrike të shpërndara te konsumatorët, është duke përdorur disa nga emërtimet të cilat nuk janë ne përputhje me Legjislacionin e aplikueshëm ne Republikën e Kosovës. ZRRE-ja, menjëherë ka kërkuar informacion te detajuar nga ‘Elektrosever’. Lidhur me këtë, e ka sqaruar se në disa adresa të konsumatorëve ka pasur gabime teknike, këto gabime teknike kanë ardhur si rrjedhojë e bartjes së shënimeve nga baza e vjetër e konsumatorëve te Elektrokosmet në bazën e re të shënimeve të ‘Elektroseverit’. Pasi janë vërejtur këto gabime, korrigjimet e duhura janë bërë në bazën e shënimeve nga ‘Elektroseveri’”, kanë thënë nga ZRRE-ja.

E nga KEDS-i nuk kanë dhënë detaje, duke thënë se përgjigje merrni nga ZRRE-ja si autoritet mbikëqyrës.

Derisa pa përgjigje kanë qenë edhe nga Bashkimi Evropian, rreth pyetjeve se çfarë kanë ndërmarrë pas shkeljeve të gjetura për faturat e lëshuara nga “Elektroseveri”.

Kompania serbe “Elektroseveri” ka filluar shpërndarjen e faturave në veri nga fundi i shkurtit.