Nis fushata e korrjes së grurit në Ferizaj, fermerët të kënaqur me rendiment
Foto: Zëri / Ilustrim

Nis fushata e korrjes së grurit në Ferizaj, fermerët të kënaqur me rendiment

Ekonomia July 07, 2024 - 09:58

Edhe në Ferizaj me rrethinë ka filluar fushata e korrje-shirjes së grurit. 4 mijë hektarë të mbjella më grurë, pritet të përfundojnë brenda 10 ditësh.

“Sot është dita e parë që kemi filluar me korrje shirjet në fshatin Papaz, ku janë të mbjella diku rreth 50 hektar me grurë. Kushtet atmosferikë kanë qenë të favorshme deri para ca javësh, kur kemi pasur të reshura dhe janë shfaqur disa sëmundje. Mirëpo, për shkak të trajtimit që kemi përdorur në këto parcela e kemi evituar atë dhe sot gruri është në gjendje shumë të mirë”, tha Alberton Sahiti, fermer nga fshati Papaz.

Sipas fermerëve ferizajas sivjet rendimentet janë më të mëdha për dallim nga viti i kaluar.

“Po në krahasim me vitin e kaluar rendimentet janë më të mira për 70%“, tha për RTK-në, Njazi Ilazi, fermer nga fshati Muhoc.

Në drejtorin e Bujqësisë në Ferizaj thanë se janë rreth 4 mijë hektar të mbjella me grurë.

“Ka rendimente të kënaqshme tek fermerët e komunës tonë, përjashtim bëjnë disa prej fshatrave të cilat janë përfshirë nga breshëri i ditëve të fundit. Aty ka pasur dëme bukur të mëdha mirëpo në përgjithësi si komunë e Ferizajt pritet që të kalohet 6 mijë kilogram për hektar”, tha Burim Bajrami, drejtori i Bujqësisë në Ferizaj.