S’kalojnë në Komision ndryshimet e Ligjit për automjete, pritet ligj i ri nga Ministria

S’kalojnë në Komision ndryshimet e Ligjit për automjete, pritet ligj i ri nga Ministria

Ekonomia July 02, 2024 - 15:26

Me pesë vota kundër, një për dhe një abstenim, Komisioni për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim nuk e ka kaluar në parim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për automjete, kështu duke i rekomanduar Kuvendit që në seancën plenare të votohet kundër këtij ndryshim-plotësimi.

Kjo pasi anëtarët e këtij komision u shprehën se ky plotësim-ndryshim i këtij projektligji me vetëm dy nene është i pamjaftueshëm dhe se është nevoja për një ligj të ri, i cili adreson të gjitha problemet për këtë çështje.

Kryetarja e Komisionit, Fitore Pacolli, ka thënë se Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor është në fazën filane të hartimit të Ligjit të ri për automjetet, ku sipas saj, adreson shumë çështje që janë ngritur nga grupet e interesit, si dhe adreson çështjen e vjetërsisë së importit të veturave.

“Ky Projektligj është një nismë e disa deputetëve të Kuvendit të Kosovës, i ka katër nene dhe ka për qëllim të ndryshojë dy nene të ligjit në fuqi. Sa për informatën e juaj Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor është duke punuar ligjin e ri për automjete i cili adreson përveç çështjes së importit të veturave, do të thotë vjetërsisë së veturave janë shqyrtuar edhe plot çështje të tjera. Unë duke parë problemet që janë adresuar mendoj që ky ligj do të duhej të jetë një ligj i ri i cili do të plotësohej në tersi dhe jo një ligj që të ndryshohet në dy ose tri çështje”, ka thënë ajo.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sali Zyba, ka thënë se është kundër këtij ndryshim-plotësimi, pasi sipas tij, kjo nismë e deputetëve e trajton këtë projektligj vetëm në mënyrë të pjesshme.

“Ky ndryshim i shpejtë nuk u bën shërbim qytetarëve. Ligjin duhet ta shohim në tërësi. Grupet e interesit kanë kërkesa për ndryshime rrënjësore ligji është i stërvjetëruar. Një arritje përmes një ndryshimi të tillë nuk i plotëson kërkesat. Nuk e konsideroj të mjaftueshëm t’i japim mbështetje një nisme kaq të pjesshme, është minimale me dy nene”, ka thënë Zyba.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Isak Shabani, ka thënë se si iniciues i këtij ndryshim-plotësimi është që ky ligj të kalojë.

“Unë për veti e përkrahi ketë plotësim ndryshim të ligjit”, ka thënë ai.

Në këtë komision po ashtu u votuan Projektligji për rrugët, si dhe Projektligjit për menaxhimin e resurseve ujore, të cilët u proceduan për votim në seancën plenare.