Kosova përfiton 37.2 milionë euro dhe dy milionë dollarë grant nga Banka Botërore

Kosova përfiton 37.2 milionë euro dhe dy milionë dollarë grant nga Banka Botërore

Ekonomia June 28, 2024 - 13:34

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, së bashku me drejtorin e Zyrës së Bankës Botërore në Kosovë, Massimiliano Paolucci, nënshkruan sot tri marrëveshje me një vlerë totale prej 37.2 milionë euro dhe dy milionë dollarë grant për forcimin e sistemit të shëndetësisë, si dhe shërbimeve të edukimit dhe kujdesit në fëmijërinë e hershme.

Në ceremoninë e nënshkrimit morën pjesë edhe Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, si dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Ministri Murati theksoi së listës së nismave që janë duke u zbatuar aktualisht me Bankën Botërore e që për theks kanë mbështetjen për qytetarët, sot po i shtohen edhe tri marrëveshje të reja të cilat kanë për synim përmirësimin e ofrimit të shërbimeve thelbësore shëndetësore publike dhe atyre të edukimit të hershëm.

Ministri Vitia konsideroi se përmes projektit “Qasja gjithëpërfshirëse e Kosovës për forcimin e sistemit të shëndetësisë” adresohen prioritetet kryesore shëndetësore siç janë digjitalizimi shëndetësor, zhvillimi i blerjeve për shëndetësi, si dhe menaxhimi i mbetjeve mjekësore.

Projekti për edukimin e hershëm u mundëson të gjithë fëmijëve mundësi të barabarta, duke u ofruar qasje në arsim cilësor dhe edukim të hershëm, u shpreh ministrja Nagavci.

Ndërsa, drejtori Paolucci ritheksoi vullnetin e Bankës Botërore që përmes bashkëpunimit me Qeverinë e Kosovës, të mbështetet popullsia më e cenueshme në Kosovë.

Të gjitha palët u shprehën të kënaqura me sukseset e projekteve të mëparshme duke thënë se suksesi i projekteve të kaluara po rezulton me projekte të reja si këto që u nënshkruan sot. /Zëri