Kosova partnerja kryesore e Shqipërisë për eksportet në rajon, Serbia në vend të parë për importe
Foto: Laura Hasani

Kosova partnerja kryesore e Shqipërisë për eksportet në rajon, Serbia në vend të parë për importe

Ekonomia June 21, 2024 - 14:47

Sipas të dhënave të institutit të statistikave INSTAT, në muajin maj të këtij viti Shqipëria realizoi me vendet e rajonit, Serbinë, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë e Hercegovinën rreth 10.5 për qind të volumit tregtar, ku përfshihen importet dhe eksportet.

Panorama me këto shtete është e ndryshme, teksa Kosova është partnerja kryesore e eksporteve dhe shteti ku kemi bilancin më të madh pozitiv me +2.7 miliardë lekë [26.5 milionë euro], ndërsa e kundërta, nga Serbia marrim më shumë importe dhe kemi deficitin më të madh tregtar me -645 milionë lekë. Me Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë e Hercegovinën Shqipëria rezulton me suficit tregtar.

“Scan Intel” ka analizuar të dhënat për të kuptuar sesi ka ndryshuar marrëdhënia e tregtimit mes vendeve të rajonit.

Sipas shifrave, Shqipëria ka rritur eksportet në vlerë vetëm me Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën, me të cilat shkëmbeu respektivisht 3.8 miliardë lekë dhe 1.3 miliardë lekë, ndërsa në të gjitha vendet e tjera të rajonit vlera e eksporteve ka rënë. Kjo rënie konstatohet në 30.1 për qind në Bosnjë e Hercegovinë, 35.2% në Malin e Zi dhe 11.2% në Serbi.

Sa u përket importeve në vlerë, Shqipëria ka forcuar marrëdhëniet vetëm me Kosovën, nga i cili morëm 1.15 miliardë lekë mallra, ose 9.1 për qind më shumë se një vit më parë, ndërsa me vendet e tjera vlera e importeve ka shënuar rënie nga 11.4 për qind me Malin e Zi deri në 32.9 për qind me Serbinë. Ndërsa lidhur me importet në vlerë rezulton se Serbia është burimi kryesor për vendin tonë, pasi vetëm në muajin maj të vitit aktual importuam 1.8 miliard lekë mallra.