Shpëlarja e parave dhe financimi i terrorizmit, rrezik nga Projektligji për kripto-asetet – BQK-ja do t’i mbikëqyrë

Shpëlarja e parave dhe financimi i terrorizmit, rrezik nga Projektligji për kripto-asetet – BQK-ja do t’i mbikëqyrë

Ekonomia June 20, 2024 - 14:09

Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti të enjten ka mbajtur dëgjim publik për Projektligjin për kripto-asetet, me ç’rast u theksua nevoja për miratimin e ligjit në Kuvend.

Anëtarja e Komisionit për Ekonomia, Mimoza Kusari-Lila, tha se ky projektligj ka filluar nismën me dëgjimin e parë publik në muajin gusht të vitit 2021, ndërsa ka vazhduar në korrik 2022, teksa shtoi se këtë projektligj e ka mbështetur edhe Këshilli i Evropës.

“Janë bërë më shumë se dy vite kur nisma për kripto-asetet është filluar, deri më tani në këtë proces janë mbajtur dy dëgjime publike, i pari është mbajt në gusht 2021 për të diskutuar për idenë, i dyti është mbajt një vit më pas në korrik 2022-s për një draft. KE-ja, përmes ekspertëve ka mbështetur grupet e punës, fokusi ka qenë të punohet kundër pastrimit të parave. Ky ligj ka për qëllim ruajtjen e kripto-aseteve”, tha Kusari-Lila.

Përfaqësuesi i BQK-së, Ervin Mala, tha se kanë filluar diskutimet për organizimin dhe ndarjen e resurseve dhe akteve ligjore.

“Banka Qendrore do të ketë rolin për monitorimin e të gjithë operatorëve që do të merren në këto asete”, tha ai.

Deputeti nga AAK-ja, Pal Lekaj, tha se Qeveria duhet të ketë monitorimin e kësaj paraje në mënyrë që të mos keqpërdoret.

“Sa u përket kriptove, janë globale dhe ne duhet patjetër t’i standardizojmë ligjet në fjalë, ne duhet të kemi një licencim të tyre e kontroll, nuk besoj se ka dikush kompetencë tjetër përveç BQK-së. Qeveria duhet të ketë monitorim të parasë, të mos ketë shpëlarje të parave dhe të mos financohet terrorizmi. Duhet të regjistrohen individët qe kanë të bëjnë me asetet të mbrohen të dhënat dhe të ruhen transaksionet”, tha Lekaj.

Vyrtyt Ibrahimaga, avokat, tha se në draftin e parë janë përfshirë kushte që u mungon rregullimi me akte nënligjore.

“Drafti paraprak janë parapa dispozita, kushtet se në cilat raste operatorët duhet përmbush kushte që të marrin një autorizim dhe licencë, kriteret që janë më rëndësi të jenë transparente, ato duhet rregulluar me akte nënligjore. Nuk e rregullon emetimin, ky ligj nëse është për kripto-asete dhe nuk ka dispozita për emetim duhet detyrimisht me ndryshua emrin”, tha ai.

Kusari Lila, tha se Projektligji ka nevojë për përmirësim, ndërsa shtoi se në rajon nuk ka projektligj më të detajuar.

“Kemi pas rregullative e BE-së që është gjenerale dhe nuk ka specifika. Te pjesa e emetimit kemi nevojë për përmirësime”, shtoi ajo, raporton EO.

Përfaqësues nga BQK-ja, Elvin Mala, tha se BQK-ja, ka përgjegjësi për kritere e monitorim.

“Ky ligj e ndan rolin dhe përgjegjësitë, lidhur me aktet në ligjore përgjegjësia i bie BQK-së, që të vendosen kriteret. Sa i përket monitorimit, BQK-ja ka përvojë në mbikëqyrje, kjo është e re për ne por nuk do thotë se nuk mund të arrihet, po ashtu BQK-ja, ka qenë transparente dhe ka nda interesat”, tha Mala.

Deputeti nga pushteti, Driton Hyseni, tha se sektori i kriptove ende përballet me sfida dhe të papritura, andaj është e rëndësishme përgjegjësia.

“Sa të gatshëm jemi për implementim të ligjit që më vonë ne si deputet të futemi në monitorim dhe të shohim, duhet të punojmë bashkë sepse shumë qytetarë kanë investuar në kripto-asete dhe kemi përgjegjësi, këtë fushë duhet të rregullojmë, duke marrë edhe praktikat ndërkombëtare”, tha Hyseni.