Rafuna: E vështirë t’i bindim investitorët se në Kosovë ka zhvillim
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një panairi ekonomik në Turqi këtë javë u ka bërë thirrje bizneseve turke të vijnë të investojnë në Kosovë, pasi sipas kryeministrit Kosova është kampion në Ballkan sa i përket respektimit të ligjit.
Të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës tregojnë se në vitin 2023 në Kosovë kishte investime të huaja rreth 800 milionë euro, kryesisht nga diaspora, mbi 90 për qind të tyre për blerje të patundshmërive, që i bie pakrahasimisht më pak sesa shtete fqinje.
Në Serbi mbi 4.5 miliardë investime të huaja. Rol të madh kanë luajtur investimet nga Kina.
Në Shqipëri investime të huaja ishin mbi 1 miliardë, rreth 400 milionë euro investime të bëra nga bizneset e Kosovës. Në Mal të Zi mbi 1 miliard euro.
Ndërsa, në Maqedoni të Veriut mbi 600 milionë euro dhe investitorët e huaj kanë deklaruar se nuk janë të gatshëm të investojnë sërish në Maqedoninë e Veriut për shkak të mungesës së strategjisë.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna thotë se Kosova po e ka të vështirë t’i bindë investitorët se nuk është e njëjta, sikurse në vitin 1999.
“Unë kam pas edhe takime të tjera me investitor të tjerë potencial, ne po e kemi të vështirë që ta largojmë atë imazhin që kemi atë fotografinë e vitit 99-të si një vend i dalë nga lufta pasi që investitorët po mendojnë se ne jemi mbetë prapa dhe kur po vijnë po e shohin zhvillimin po mbesin të habitur: por është edhe tjetra sepse shteti duhet të ofroj siguri të investimeve dhe problemi me Serbinë është një çështje që po ndikon jashtëzakonisht shumë”, tha Rafuna për RTV21
Njohës të ekonomisë e arsyetojnë shumën e madhe të investimeve të huaja në Serbi me numrin më të madh të qytetarëve dhe potencialin për shitje më të madhe në vendet e Evropës. Profesori i ekonomisë Safet Gërxhaliu thotë se përderisa në Kosovë kryefjalë është “lufta”, Kosova do të vazhdojë të vuajë për investitorë të huaj.
“Vetëm në Serbi shteti turk ka krijuar më shumë se 20 mijë vende pune mos të flasim për investime të tjera, përderisa ne në Kosovë në vazhdimësi flasim për luftën e mundshme me Serbinë dhe nuk kemi një stabilitet politik asnjëherë nuk do të arrijmë që të sjellim këta investitor në vendin tonë”, tha Gerxhaliu.
Ndërsa, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, vlerëson se investimet që po bën diaspora nuk po sjellin zhvillim ekonomik. Shtron nevojën për ndryshim të qasjes në këtë rrafsh.
“Jo nuk jemi të kënaqur pasi që vetëm 80 milionë janë investime të cilat mund të themi se kanë hapur vende të punës, pasi që të tjerat kryesisht kanë shkuar në blerje të banesave, patundshmërive dhe kjo nuk është duke na pëlqyer”, shtoi Rafuna.
Njohësit e rrethanave po ashtu konsiderojnë se nevojitet që Kosova të paraqesë një ofertë me adekuate për investitorë potencialë.