Qeveria miraton nismën për lidhjen e Marrëveshjes për sigurime sociale me Turqinë
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur të martën ka miratuar Nismën për lidhjen e Marrëveshjes për sigurime sociale ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se kjo marrëveshje është e rëndësishme për qytetarët e të dyja shteteve për realizimin e të drejtës së tyre për pensione kontributpaguese.
“Kjo marrëveshje është e rëndësishme sepse ju mundëson qytetarëve të të dyja shteteve të shfrytëzojnë të drejtën e tyre në pensionet kontributpaguese, familjare dhe ato invalidore të punës. Kjo mundëson edhe eksportimin e pensionit, pra nëse një qytetar vendos që të jetojë në njërin nga këto dy shtete, mund ta përfitojë pensionin varësisht në cilin shtet ka vendosur të jetojë”, tha Murati.
Ai shtoi se kjo marrëveshje siguron edhe shkëmbimin e të dhënave, që nënkupton që përmes komunikimit të dyja shtetet mund të sigurohen që një qytetar nuk po merr pension nga të dyja shtetet, duke mos e deklaruar atë.
Sipas Muratit, me këtë bëhet edhe mirëmenaxhimi i buxheteve të të dyja shteteve.