Genc Celi zgjidhet president i ri i Shoqatës së Operatorëve Ekonomikë të Autorizuar
Bordi Drejtues i Shoqatës së Operatorëve Ekonomikë të Autorizuar (OEA), që përfaqëson bizneset e vendeve anëtare të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA) lidhur me programet rajonale të Operatorëve Ekonomik të Autorizuar (OEA), ka zgjedhur një President të ri, Genc Celi, ekspert i Çështjeve Tregtare dhe Doganore, si përfaqësues të Shoqatës së OEA-ve për dy vitet e ardhshme.
Ai do të zëvendësojë Tijana Stefanovic nga RED SPED, e cila ka udhëhequr Shoqatën e OEA-ve deri më tani dhe ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në arritjen e objektivave të organizatës.
Sipas komuniktës, Bordi Drejtues përfshin Goran Cerovina nga grupi NELT në Bosnjë dhe Hercegovinë, Olgica Nakova nga Translog Express, Dragana Stajovic nga Neregelia, Betim Kryeziu nga Golden Eagle dhe Jovan Mutavxhiq nga 2B Logistics, bashkë me Presidentin e sapoemëruar Genc Celi.
Në periudhën e mëparshme, Bordi Drejtues është fokusuar në çështje kyçe të tilla si plani i qëndrueshmërisë së Shoqatës dhe zhvillimi i mëtejshëm i organizatës, veçanërisht në lidhje me procesin e rekrutimit për Drejtuesin e Shoqatës së OEA-ve.
Gjatë takimeve të mbajtura që nga përzgjedhja e tyre në muajin mars, Bordi Drejtues riafirmoi angazhimin e palëkundur të Shoqatës së OEA-ve për të nxitur bashkëpunimin dhe progresin në ekonomitë e vendeve anëtare të CEFTA-s. Bordi parashtroi vizionin e tij strategjik për mandatin e ardhshëm, duke vënë theksin te krijimi i një mjedisi të favorshëm për rritjen dhe zhvillimin e programeve të OEA-ve.
Themeluar në tetor të vitit 2021 nga operatorët ekonomikë të vendeve anëtare të CEFTA-s, Shoqata e OEA-ve ka shërbyer si shtysë kryesore për nxitjen e diskutimeve dhe nismave që synojnë avancimin e programeve të OEA-ve në rajon.
Shoqata e OEA-ve është themeluar me mbështetjen e projektit “Mbështetje për Integrimin Ekonomik Rajonal”, zbatuar nga Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) në emër të Komisionit Evropian dhe Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ). E përkushtuar ndaj avancimit të Programeve të Operatorëve Ekonomikë të Autorizuar (OEA) brenda vendeve anëtare të CEFTA-s, Shoqata e OEA-ve bashkëpunon me grupet e interesit për të nxitur lehtësimin e tregtisë, për të garantuar pajtueshmërinë dhe për të rritur konkurrueshmërinë e bizneseve të OEA-ve. /Telegrafi/