Dogana e Kosovës arrin rekorde të reja
Foto: Laura Hasani

Dogana e Kosovës arrin rekorde të reja

Ekonomia April 25, 2024 - 15:22

Dita e sotme është përmbyllur me mbledhjen e të hyrave që tejkalojnë 500 milionë euro për Doganën e Kosovës.

Kjo arritje paraqet një rritje të madhe prej 78 milionë eurove, ose mbi 18%, krahasuar me mbledhjen e të hyrave të vitit të kaluar, duke tejkaluar dukshëm edhe projeksionin prej 6% për këtë vit fiskal.

“Këto të hyra janë mbledhur edhe pse efekti në lirimet e taksave, sipas vendimeve të Qeverisë, për importin për prodhuesit dhe thellimi i lirimeve nga marrëveshjet e tregtisë së lirë janë thelluar dukshëm”, thuhet në komunikatën nga Dogana e Kosovës.

Në këtë periudhë janë liruar 79 milionë euro taksa të kësaj kategorie, ose 21 milionë më shumë se viti paraprak.

“Ngjashëm, bazuar në vendimin e Qeverisë, është bërë progres i rëndësishëm në lehtësimin e tregtisë, veçanërisht me funksionimin efikas të zhdoganimit në portin e Durrësit dhe terminaleve të operuara nga shteti”.

“Ky progres ka rezultuar në një kursim të konsiderueshëm të kostos prej 4.3 milionë eurove gjatë periudhës tremujore, ndërsa që sipas trendit të progresit, ne parashikojmë që ky kursim të përshkallëzohet, duke arritur deri në 20 milionë euro deri në fund të vitit, duke optimizuar më tej proceset tona tregtare dhe duke përmirësuar rritjen ekonomike e njëkohësisht duke ndikuar në uljen e çmimit te konsumatori”, thuhet në komunikatë. /Zëri