Moti i ngrohtë përshpejton mbjelljet bujqësore
Zhurma e traktorëve e thyente qetësinë e fshatit Bukosh të Vushtrrisë, mëngjesin e 11 prillit.
Fermeri Gjylazim Ibrahimi me djalin e tij po kryenin mbjelljet pranverore.
Që të dy nguteshin që të kryenin sa më shpejt punët në njërën nga arat, të cilën e mbjellin me misër qe shumë vjet.
“Merrem me mbjelljen e misrit qe 17 vjet”, thotë Gjylazimi. Këtë vit, mbjelljen po e kryejnë më herët se zakonisht për shkak të motit të mirë. Më 11 prill, temperatura më e lartë në Kosovë u regjistrua 23 gradë Celsius.
Përkundër punës së madhe që kërkon, fitimi nga kultivimi i misrit nuk është aq i lartë. Viteve të fundit është vërejtur rënie e çmimit të misrit në treg.
Gjylazimi thotë se një thes misër, rreth 25 kilogramësh, aktualisht kushton 10 euro.
“Nëse vazhdon ky çmim, i cili është në treg tani, nuk ja vlen ta mbjellësh misrin”, thotë Gjylazimi.
Më pesimist Gjylazimin e bën rritja e çmimit të farës së misrit dhe të plehrave artificiale.
Përkundër subvencioneve që fermerët marrin, Gjylazimi thotë se vlera e mbjelljes së misrit është rritur vazhdimisht.
“Në këto vitet e fundit është shumë shtrenjtë mbjellja e misrit. Çmimi i farës së misrit është nga 37 euro deri në 42, ndërsa plehu 14 euro, fara më mirë, e cila vjen nga Amerika, është 42 euro”, thotë ai.
Këto çmime kanë qenë më të ulëta në të kaluarën
“Nëse e krahason me vitet e kaluara, çmimet kanë qenë më të lira. Fara [e misrit] e ka pasur çmimin 22 deri në 25 euro, ndërsa plehu artificial ka qenë 8 euro, tani është 14 euro”, thotë ai.
Sa mbjell Kosova misër?
Sipas të dhënave të fundit zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, sipërfaqja totale e mbjellur me drithëra në vitin 2022 ishte rreth 124 mijë hektarë.
Këto të dhëna tregojnë se edhe në vitin 2022 sipërfaqen më të madhe të drithërave e kanë përbërë dy kulturat kryesore, që janë gruri dhe misri.
“Gjashtëdhjetë e katër për qind apo 79.984 e sipërfaqes totale të drithërave, ishte e mbjellur me grurë dhe 32 për qind apo 39.797 hektarë ishin të mbjellura me misër. Drithërat tjera si elbi, thekra, tërshëra dhe grupi tjetër i drithërave kokërr, kishin sipërfaqe më të vogla”, thuhet në Raportin e Gjelbër 2023.Me sasinë e prodhuar prej rreth 175 tonësh, Kosova mbulon 81 për qind të nevojave të saj. Pjesa më e madhe e misrit është përdorur si ushqim i kafshëve.Konsumi mesatar për kokë banori për misër, duke përfshirë edhe produktet me përmbajtje misri në vitin 2022, ishte 40 kilogramë.Sipas Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në Kosovë, vlera e subvencioneve për pleh ishte 150 euro për hektarë për grurë, dhe 100 euro për hektarë për misër, patate dhe fasule monokulturë. /REL