Abdixhiku: Për tre vjet, investimet e shtetit në ekonomi kanë qenë më të ulëtat në histori
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka hedhur kritika të ashpra ndaj Qeverisë aktuale për nivelin e investimeve në ekonominë e vendit.
Abdixhiku tha se për tre vitet e fundit, investimet e shtetit në ekonomi kanë qenë në nivelet më të ulëta që janë regjistruar ndonjëherë.
“Fabrikat e Kosovës, punëtorët tanë, dhe të gjithë ata që po hapin rrugë të reja në botën e biznesit, janë ata që do ta bëjnë këtë vend të zhvillohet dhe të lulëzojë me mirëqenie. Politika ka vetëm një mision: të ndihmojë këta njerëz në rrugëtimin e tyre,” u shpreh Abdixhiku.
Në një vizitë në fabrikën Zinkuine në Prizren, Abdixhiku shprehu krenarinë për punën dhe produktet e punëtorëve, të cilat shkojnë deri në Holandë me vulën “Made in Kosovë”.
Gjatë vizitës, ai pohoi se ka marrë njohuri më të thella rreth sfidave me të cilat përballet biznesi në Kosovë, si dhe pritjet e punëtorëve.
“Ka shumë për të bërë në të dyja këto fusha,” shtoi ai.
“Në tre vitet e fundit, investimet e qeverisë në ekonominë e vendit kanë qenë alarmueshëm të ulëta, me një mesatare prej vetëm 11% të pjesëmarrjes së investimeve qendrore në buxhet. Për të bërë një krahasim, ky nivel investimesh ishte 10% në vitin e pandemisë – praktikisht si në një mbyllje totale; një njollë e zezë si për vitet e mbylljes ashtu edhe për këto tre vite të fundit të qeverisjes.”
Abdixhiku premton një alternativë për zhvillimin e Kosovës.
Ai bën thirrje për një ndryshim drastik dhe zhvillimin e vendit përmes një injeksioni masiv të investimeve që shkojnë në 1.1 miliardë euro çdo vit, si një garanci për të ardhmen prosperuese të Kosovës.