ZRRE-ja vendos ta ulë çmimin e energjisë mbi blloktarifë për 1.16 cent ditën e as 1 cent për natën
Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë ka marrë vendim të zbritet energjia e shpenzuar mbi blloktarifë.
Lajmin e ka konfirmuar kryetari i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, i cili tha se zbritja është 8 për qind.
“Për secilin konsumator, i cili shpenzon mbi 800 kilovatë, zbritja është 8 për qind. Po ashtu, kemi miratuar edhe zbritjen e energjisë për të gjitha bizneset, pa përjashtim, në vlerë prej 3 për qind, e edhe ndriçimit publik prej 3 për qind”, tha Fejzullahu.
Në përllogaritje, një kilovat mbi blloktarifë me vendimin e ri është liruar për 1.16 cent për tarifën e lartë, ndërsa për tarifën e natës, zbritja nuk i bie as një cent i plotë.
Deri në këtë vendim, çmimi i energjisë për tarifën e lartë mbi blloktarifë, atë të ditës, ishte 14.45 centë, ndërsa tash është bërë 13.2 centë. Kurse, për tarifën e ulët mbi blloktarifë, çmimi ishte 6.81 centë, e që me zbritje i bie 6.27 centë. /klankosova