Murtezaj: Ka rënie të jashtëzakonshme të ekonomisë joformale në Kosovë
Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Ilir Murtezaj ka folur lidhur me ekonominë joformale në Kosovë, duke njoftuar se ka një rënie të jashtëzakonshme të këtij fenomeni.
Murezaj, ka thënë se ATK-ja ka pranuar hyrje tatimore të rritura për 4 herë më shumë në raport më GDP, çka sipas tij është sinjal i rënies së informalitetit.
“Nëse i referohemi progresit të të hyrave tatimore në ATK, shohim se kemi një progres të jashtëzakonshëm, të hyra këto të cilat nga viti na vit janë rritur pothuajse më shumë se 4 herë në raport me rritjen e GDP-së ose në përqindje themi se në 2022-ten patëm 21 për qind, 2023-ten 18 për qind, dhe tani në 2024-ten kemi mbi 15 për qind. Kjo do të thotë se ka rënie të informalitetit. Kësaj i shtojmë faktin që gjet kësaj periudhe nuk kemi pasur as norma të rritura tatimore dhe nuk kemi pasur lloje të reja tatimore, kjo dëshmon se kjo hyrje e rritur ne këtë nivel vjen si rezultat i uljes së informalitetit”, është shprehur ai në Tëvë 1.
Sipas Murtezajt, luftimi i informalitetit ka nisur që nga viti 2021, atëherë kur edhe është përgatitur plan specifik përmes të cilit është vepruar në terren duke u bërë identifikimi i punëtorëve të padeklaruar.
Drejtori i ATK-së, tha se vetëm në vitin e kaluar janë identifikuar mbi 6 mijë punëtorë informal, madje Murtezaj tregoi se aplikacioni i prezantuar nga ky institucion ku punëtori mund të shoh nëse është i deklaruar ajo jo, e jep mundësinë edhe për të denoncuar punëdhënësin në rast se nuk e ka deklaruar.
Por, ai ka thënë se nuk ka denoncime aq sa janë pritur.
“Nga viti 2021 ne kemi përgatitur një plan specifik të veprimeve me qëllim të luftimi të informalitetit në punësimin joformal. Kemi vepruar në terren, kemi identifikuar punëtorët e padeklaruar, i kemi obliguar të formalizohen. Në vitin e kaluar mbi 6 mijë e 100 punëtorë të tillë kanë qenë të identifikuar, edhe tani jemi duke bërë vazhdim të aktiviteteve. Aplikacioni për verifikim të punëtorit nëse është i formalizuar nga punëdhënësi i tij është që nga viti 2022. Përveç verifikimit në të njëjtën kohë ka mundësinë që punëtori i padeklaruar ta denoncoj punëdhënësin e tij. Ka denoncime, jo sa kemi pritur”, ka shtuar ai.
Ndërkohë, Murtezaj ka folur edhe pagesat e kursimeve pensionale të punëtorëve nga punëdhënësi, për të cilat u zotua se do të bëjnë përpjekje që këto pagesa të kryhen në kohë reale.
“ATK dihet që është e autorizuar për të mbledhur tatime dhe më tej i është veshur edhe përgjegjësia e mbledhjes së kursimeve pensionale dhe për këtë ATK bën përpjekje që ta mbikëqyrë edhe këtë proces. Ka raste kur tatimpaguesit e deklarojnë si detyrim tatimor po se paguajnë, natyrisht ne bëjmë përpjekje që këto pagesa të bëhen në kohë reale. Normalisht që ka sfida por ne jemi të bindur që ne duhet ta bëjmë punën që na takon dhe në të njëjtën kohë bizneset duhet ti paguajnë detyrimet tatimore”, ka thënë ai.