Liderët ballkanikë mblidhen në Tiranë për planin e rritjes ekonomike
Në Tiranë të Shqipërisë udhëheqësit e shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe komisionari evropian për Zgjerim, Oliver Varhelyi, marrin pjesë në samitin rajonal mbi planin e rritjes ekonomike të Bashkimit Evropian për rajonin.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha përmes një postimi në Facebook se ky plan do të mundësojë një “mbështetje të re për gjashtë vendet e rajonit tonë”. Vlera e ndarë nga BE-ja për këtë plan për periudhën 2024-2027 është 6 miliardë euro.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, "për shkak të angazhimeve të mëparshme", nuk do të jetë i pranishëm fizikisht në samitin e 29 shkurtit, tha për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.
“Megjithatë, Kurti do të jetë pjesë e samitit virtualisht përmes një videoadresimi”, tha Kryeziu.
Në samit, përveç Ramës si nikoqir, marrin pjesë edhe liderët e tjerë rajonalë: presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, dhe presidentja e Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, Borjana Kristo. Por, në samit nuk është i pranishëm kryeministri malazez, Millojko Spajiq.
Plani i BE-së për Ballkanin Perëndimor synon rritjen ekonomike të rajonit, përshpejtimin e reformave të duhura, dhe kryerjen e investimeve, që mund të avancojnë procesin e zgjerimit të BE-së me këto vende.
Një samit i ngjashëm për këtë plan u mbajt më 22 janar në Shkup të Maqedonisë së Veriut.
Çka është plani për rritjen ekonomike në Ballkanin Perëndimor?
Plan i ri për rritje ekonomike në vendet e Ballkanin Perëndimor, i miratuar nga Komisioni Evropian, më 8 nëntor të vitit 2023, është i bazuar në katër shtylla.
Shtylla e parë është “forcimi i integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së".
Kjo do të varet nga përshtatja e vendeve të rajonit me rregullat e tregut unik dhe paralelisht hapja e tregut të tyre në sektorët përkatës për vendet fqinje.
Shtylla e dytë e këtij plani është “forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal”.
Kjo, sipas përvojës së BE-së do të ndikojë në një rritje potenciale ekonomike prej 10 për qind.
Shtylla e tretë e këtij plani është “përshpejtimi i reformave fundamentale“. Kjo nënkupton dhe sundimin e ligjit që ndihmon edhe në tërheqjen e investimeve direkte të huaja dhe forcon stabilitetin rajonal.
Shtylla e katërt e planit të ri të Komisionit Evropian për rritje ekonomike në Ballkanin Perëndimor është “rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat“. Këtu përfshihet edhe propozimi për 6 miliardë euro ndihmë.
Pasi vendet e rajonit në raportet tregtare me Bashkimin Evropian përfitojnë edhe nga Marrëveshjet përkatëse të Stabilizim-Asociimit, KE-ja propozon që të shkohet edhe përtej kësaj, duke bërë edhe ndryshime në këto marrëveshje për të mundësuar kushte të barabarta në treg dhe mes vendeve në procesin e zgjerimit dhe vendeve anëtare të BE-së.
Të gjitha këto qëllime janë në përputhje edhe me idetë që po realizohen përmes Procesit të Berlinit, si dhe krijimin e “tregut të përbashkët rajonal”. /REL