Hoti: Përkeqësim i paprecedent i strukturës së buxhetit në tre vjetët e fundit
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se në tre vjetët e fundit ka përkeqësim të paprecedent të strukturës së buxhetit, ndërsa ka theksuar se “kjo politikë buxhetore nuk siguron zhvillim”.
Sipas tij, gjatë kësaj periudhe trefish më shumë po shpenzohet në subvencione-transfere sesa në ndërtimin e rrugëve, shkollave, spitaleve ose në pajisje të ushtrisë e policisë.
“As varfëria nuk eliminohet kështu. Ajo mund të zbutet përkohësisht me subvencione, por eliminohet vetëm me zhvillim”, shkroi Hoti në Facebook.
“Më tepër është investuar në 2 vjet e 9 muaj të qeverisë ‘Mustafa’ (979 mil. euro shpenzimet kapitale në nivelin qendror), se në Qeverinë aktuale që është në vitin e katërt të mandatit (910 mil. euro shpenzimet kapitale në nivelin qendror)”.
Për më tepër, ai ka thënë se në qeverinë “Mustafa” 20 për qind e buxhetit është dedikuar për shpenzime kapitale të nivelit qendror.
Ndërkaq, sipas tij, në Qeverinë aktuale shpenzimet kapitale të nivelit qendror kanë rënë në 12 për qind të buxhetit.