Universiteti i Prishtinës certifikoi 40 auditorë të energjisë
Universiteti i Prishtinës, përmes Qendrës për Energji dhe Qëndrueshmëri (QEQ), organizoi sot një ceremoni të veçantë për të certifikuar 40 auditorë të energjisë, të cilët kanë përfunduar me sukses trajnimin e tyre në fushën e auditimit të energjisë.
Në këtë ceremoni ishte i pranishëm edhe rektori i UP-së, Qerim Qerimi.
Ky sukses i auditorëve të energjisë u vlerësua nga rektori Qerimi, pasi sipas tij, paraqet një dëshmi të lidhjes mes universitetit dhe nevojave të tregut.
“Ai theksoi se ky trajnim paraqet një mundësi të rëndësishme për profesionalizimin e sektorit të energjisë dhe për të promovuar një përdorim më efikas të burimeve të energjisë, si dhe një dëshmi e lidhjes që mund të krijohet ndërmjet universitetit dhe industrisë e nevojave të tregut”, thuhet në njoftimin e UP-së.
Kurse zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku, theksoi rëndësinë e këtij trajnimi dhe angazhimit të auditorëve të energjisë në promovimin e efikasitetit të energjisë dhe reduktimit të ndikimit të dëmshëm në mjedis.
“Ai gjithashtu inkurajoi të gjithë të diplomuarit të vazhdojnë të kontribuojnë në fushën e energjisë së qëndrueshme dhe të përkrahin transformimin energjetik të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e UP-së.
Tutje në njoftimin e UP-së u tha se iniciativat e tilla për forcimin e kapaciteteve në fushën e energjisë vazhdojnë të jenë thelbësore për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit dhe për të adresuar sfidat e mjedisit në Kosovë.