Investimet për energji të pastër, Kurti fton për aplikime - mbështetja deri në dy mijë euro
Foto: Laura Hasani

Investimet për energji të pastër, Kurti fton për aplikime - mbështetja deri në dy mijë euro

Ekonomia February 06, 2024 - 10:56

Ministria e Ekonomisë ka lansuar thirrjen publike për mbështetjen e familjeve dhe të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme për investimin në sisteme të energjisë së pastër.

Në lidhje me këtë, kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se do të ulet barra për sistemin energjetik, por edhe do të fuqizohen familjet e bizneset për të bërë zgjidhje të qëndrueshme.

“Me skemën që po e lansojmë sot, familjet mund të aplikojnë për mbështetje për sisteme diellore me kapacitet prej 3 deri në 7 KW, ku do të subvencionohen me 250 euro për KW, deri në 1 mijë e 750 euro në total”.

“Edhe për ndërmarrjet të vogla dhe të mesme vlera e subvencionimit do të jetë 250 euro në KW me kapacitet prej 3 deri në 9 KW, maksimalisht deri në 2 mijë euro”, tha Kurti.

Më tej, ai tha se për kapacitet prej 10 KW e më shumë, bizneset do të subvencionohen me 200 euro për KW deri në 600 euro në total.

“Për instalimin e sistemit diellor për ngrohjen e ujit sanitar, që nga mesi i këtij muaji, bizneset do të mund të subvencionohen 40% të vlerës deri në 4 mijë euro”.

“Për këto dy masa, bizneset në pronësi apo bashkëpronësi të grave, mbi 51% do të subvencionohen me 200 euro shtesë”, tha Kurti.

Ndërsa, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se me lansimin e këtyre masave do të ulen shpenzimet e energjisë.

"Ne si ministri kemi përgatitur dhe miratuar në lexim të parë Ligjin për Burime të Ripërtërishme të Energjisë i cili do ta bëjë më atraktiv vendosjen e sistemeve solare nga konsumatorët. Përfitimet që qytetarët, bizneset e vendi ynë kanë nga investime të tilla janë të shumëfishta, duke filluar nga efiçienca e energjisë, ulja e ndotjes e faturat e energjisë. Ne kemi arritur të mobilizojmë të gjitha burimet që kemi në vend për të dizajnuar masa që kanë ndikim te qytetarët. Masa të cilat mund të zbatohen në mënyrë të plotë, transparent edhe të drejtë", ka deklaruar Rizvanolli.

Përmes këtij investimi në sistemin e energjisë së ripërtërishme mundësohet investimet në sistemin fotovoltaik (FV) për prodhimin e energjisë elektrike për vetë-konsum dhe të sistemit diellor për ngrohjen e ujit sanitar të financuara nga Bashkimi Evropian (BE).