Ministria e Bujqësisë e kthen në pronësi tokën 4-milionëshe, që i ishte bartur kundërligjshëm një serbi

Ministria e Bujqësisë e kthen në pronësi tokën 4-milionëshe, që i ishte bartur kundërligjshëm një serbi

Ekonomia February 05, 2024 - 13:21

Një hektar e 34 ar janë rikthyer në pronësi të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, pasi kjo parcelë dyshohet se në mënyrë të kundërligjshme i është bartur serbit, Jovica Deniq, në vitin 2020. Parcela me vlerë të përafërt prej katër milionë eurosh ndodhet në Zonën industriale e cila ndan Prishtinën e Fushë-Kosovën.

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, të hënën ka thënë se pas pronave në Ulpianë dhe në Stankaj të Pejës, ky rast, për të cilin është një ndër rastet më bizare që kanë ndodhur karshi tentimit për tjetërsim dhe abuzim flagrant të pronave shtetërore.

“Mënyra e tjetërsimi të kësaj prone për mua si ministër, por po besoj edhe për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që e duan këtë vend, paraqet krim. Nga të dhënat që posedojmë, që nga viti 2010 deri në vitin 2020 janë rreth 100 hektarë toke të tjetërsuara, objekte e prona afariste, që kanë ndërruar titullarin në mënyrë të dyshimtë përmes metodës së identifikimit të disa pjesëtarëve të komunitetit serb ish zyrtarë të Institutit të Bujqësisë së Kosovës”, ka thënë Peci.

Ai tha se në aktvendimin e nxjerrë nga Agjencia Kadastrale e Kosovës në dhjetor të vitit 2020, ishte obliguar Drejtoria e Kadastrit e Komunës së Prishtinës që të bëjë ekzekutimin e Aktgjykimit të shtatorit të 1996, ku parcela në të cilën ndodhemi sot, i është bartur në pronësi Jovica Deniqit.

Drejtoria e Kadastrit të Komunës së Prishtinës më maj të vitit 2019, si dhe në gusht të vitit 2020 kishte refuzuar fillimisht kërkesën e Jovica Deniqit, për shkak të konstatimit të zbrazëtisë ligjore për ta bartur pronën në pronësi të Deniqit.

“Mirëpo, në janar të vitit 2021, e njëjta drejtori nxjerrë aktvendimin me të cilin është ekzekutuar në regjistra kadastral aktvendimi i datës 11.12.2020, kurse më 21.06.2021 Drejtoria e Kadastrit të Komunës së Prishtinës, bazuar në shkresën e lëshuar nga Agjencia Kadastrale e Kosovës të datës 17.05.2021, ka nxjerrë aktvendimin me të cilin është plotësuar aktvendimi i nxjerrë nga Drejtoria e Kadastrit më datë 19.01.2021, me të cilin Jovica Deniq është bërë pronar i kësaj ngastre kadastrale në të cilën ndodhemi”, ka thënë Peci, duke shtuar se si rezultat i këmbëngulësisë së tyre, akterët e lartcekur që kanë marrë vendime skandaloze dhe kriminale me vite në përvetësimin e pronës shtetërore tek individë e konkretisht të kësaj ngastre në vlerë rreth 4 milionë euro; prona i është kthyer titullarit / Ministrisë së Bujqësisë, para 6 ditësh, raporton EO-ja.

Mirëpo kjo për Pecin nuk mjafton.

“Unë ftoj Prokurorinë e Shtetit të angazhohet dhe të hetojë gjithë mënyrat dhe procedurat e bartjes së pronës së Ministrisë së Bujqësisë te grupe ose individë, e që janë hiç më pak se qindra hektarë me tokë, objekte afariste e objekte banimi”, ka deklaruar ai.

Rikujtojmë se dy prona të tjera Ministria i ktheu edhe gjatë javës së kaluar.