Zgjerohet “Superpuna”, subvencionimi do të bëhet edhe për të rinjtë deri në 29 vjeç
Foto: Laura Hasani

Zgjerohet “Superpuna”, subvencionimi do të bëhet edhe për të rinjtë deri në 29 vjeç

Ekonomia February 02, 2024 - 11:57

Më shumë se 9 mijë të rinj janë punësuar në kuadër të platformës “Superpuna”, nga bizneset e sektorit privat, e cila që nga sot përfitues mund t’i punësojnë edhe grup-moshat deri në 29 vjeç, nga 25 sa ishte.

Gjatë zgjerimit të kësaj platforme, kryeministri Albin Kurti tha se grup-moshat që kanë përfituar më herët ka qenë nga 18 deri 25-vjeçare, ndërsa përfitues mund të jenë edhe personat deri në 29 vjeç.

“Punë dhe drejtësia është togfjalëshi që është dëgjuar më së shpeshti në prezantimet tona. Kjo platformë për bizneset e bëri më të lehtë angazhimin e punëtorëve pasi garantoi subvencionim e pagës së punëtoreve. Platforma ka pasur një sukses të jashtëzakonshëm, ku u punësuan 9394 të rinj dhe të reja. Jam shumë i lumtur që disa prej përfituesve i kemi në mesin tonë për t’u dhënë edhe një lajm të mirë. Kemi vendosur që t’i zgjerojmë gruposhmat që mund të përfitojnë nga kjo platformë, tani nga 18 vjeç deri në 29 vjeç mund të përfitojnë për t’u punësuar”, tha ai.

E ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, tha se synimi ka qenë që të punësohen 10 mijë të rinj e të reja.

Ai tha se 67 për qind e të rinjve që janë punësuar përmes kësaj platforme, u janë vazhduar kontratat nga punëdhënësi.  

“Duke parë suksesin e grupmoshës së parë, kemi vendosur të zgjerohet grupmosha për ata që janë më shumë se 25 vjeç. Pra nga ata që kanë përmbushur gjashtëmujorin, janë 67 për qind e tyre që kanë përfituar punësim. Ndryshimet, do të vazhdojnë kushte dhe kriteret e tjera siç kanë qenë”, tha ai. /EO

Image