Njohës të ekonomisë: Vendimi i BQK-së, pozitiv për ekonominë e Kosovës
Foto: Laura Hasani

Njohës të ekonomisë: Vendimi i BQK-së, pozitiv për ekonominë e Kosovës

Ekonomia February 01, 2024 - 13:02

Pas vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës, që nga sot valuta e vetme që lejohet të përdoret për kryerje të transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Kosovë është euroja.

Ky vendim i BQK-së nga njohës të ekonomisë po vlerësohet si pozitiv për ekonominë e vendit.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, i tha Radio Kosovës se sipas të dhënave që ka ky institucion, vetëm vitin e kaluar mbi 130 milionë euro Serbia përmes sistemeve ilegale ka investuar për qytetarët e saj. E tash përmes këtij vendimi, të gjitha mjetet do të qarkullojnë përmes sistemit bankar dhe tatimor të vendit, tha Shahini.

“Sipas të dhënave që ka Aleanca Kosovare e Bizneseve, rreth 130 milionë euro vetëm vitin e kaluar Serbia ka investuar për qytetarët e vet, të cilat kanë ardhur  përmes sistemeve ilegale e jo përmes sistemeve ku tatimohen këto mjete. Prandaj, ky vendim mund të jetë pozitiv, pasi tani këto mjete mund të shkojnë përmes sistemit tatimor dhe bankar të vendit”, ka thënë Shahini.

Ndër të tjera, Shahini tha se BQK-ja duhet të koordinohet me Bankën Qendrore të Serbisë që pagesat të konvertohen në euro, pasi rreth 50 mijë qytetarë serbë, në mesin e tyre edhe shqiptarë, marrin pagesa mujore dhe pensione nga Serbia.

“Mbi 50 mijë qytetarë serbë marrin pagesa mujore të ndryshme monetare nga Serbia, ku në mesin e tyre ka edhe shqiptarë që marrin pensione. Kjo e drejtë e tyre nuk do të mohohet, pasi këto mjete në mënyrë automatike do të konvertohen”, ka shtuar ai.

Se ky vendim është i qëlluar e tha për Radio Kosovën edhe njohësi i ekonomisë, Ismet Mulaj.

Ai tha se ndalimi i qarkullimit të dinarit serb në Kosovë do të ndikojë në rritjen e qëndrueshmërisë ekonomike dhe konkurruese të Kosovës.

“Përdorimi i dinarit ka ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në konkurrencë jo të drejtë në mes të bizneseve. Po ashtu, i ka bërë konkurrencë valutës zyrtare euro që e përdor BQK-ja dhe Kosova në tërësi. E tani më eliminimin e formalitetit krijohen kushte për një ekonomi konkurruese, një ekonomi të drejtë ku qytetari në mënyrë ligjore shkon i konverton monedhat e huaja dhe i kthen në monedhën zyrtare euro”, ka thënë Mulaj.

Njohësit e ekonomisë thanë se përmes kësaj rregulloreje po i jepet hapësirë formalizmit të ekonomisë në tërësi.