Rreth 80 mijë euro obligime ndaj minatorëve, “Trepça” ka një javë afat t’i realizojë pagesat
Sindikata e Pavarur e Minatorëve të “Trepçës”, përmes një reagimi publik, thotë se menaxhmenti i ndërmarrjes “Trepça” ka rreth 80 mijë euro obligime ndaj tyre.
Sindikalistët fajësojnë menaxhmentin se po pengon aktivitetet e tyre dhe se shuma rreth 80 mijë euro është që minatorët kanë paguar nga paga e tyre.
“Të nderuar minatorë, janë bërë tani e sa vite që Menaxhmenti i ndërmarrjes ‘Trepça’ SHA e pengon aktivitetin sindikal të Sindikatës së minatorëve të Kosovës në forma të ndryshme, duke filluar nga përndjekjet, shantazhet, presionet, kërcënimet, suspendimet, largimet nga puna etj. Një formë tjetër pengimit të veprimit sindikal dhe përpjekjes për të zhbërë sindikatën është ndalesa e kuotizimit apo anëtarësisë sindikale. Duke penguar dhe pamundësuar aktivitetin sindikal vazhdimisht.
Si rezultat i mostransferimit të këtyre mjeteve për disa vite obligimi tanimë duhet të jetë rreth 80.000 mijë euro. E tmerrshme. Këto janë mjete të cilat ne i paguajmë nga paga jonë, me djersen e ballit dhe të njëjtat nuk na i transferojnë në llogarinë sindikale, me tendencën e vetme përndjekjen e sindikalistëve, largimin e tyre nga sindikata dhe njëherësh zhbërjen e saj”, theksohet në reagim.
Tutje, ata thonë “Turpi ju mbuloftë. Ju se keni idenë se çka është as demokratike e as ligjore. Por ta dini se Trepça nuk është pronë e bordit e as e një menaxhmenti total të padijshëm. “Trepça” SHA para së gjithash është e minatorëve dhe qytetarëve, e kështu do të mbetet gjithmonë”.
Sindikata ka kërkuar nga menaxhmenti që brenda një jave të realizojnë vlerën prej 80 mijë euro.
“Ne ju njoftojmë dhe bëjmë thirrje që nëse brenda afatit një javor nuk paguhet vlera e plotë e kuotizimit sindikal (që është paguar nga djersa jonë/ nga gjepi ynë/nga kafshata e familjeve tonë), ne do të ndërmarrim të gjithë hapat demokratik për të realizuar këtë të drejtë. Bashkangjitur me këtë postim keni vetëm një pjesë të obligimeve që ndërmarrja ‘Trepça’ SHA i ka Sindikatës së Pavarura të Minatorëve të Trepçës së Kosovës”, përfundohet në reagim.