Sa shpenzoi kryeministri Kurti për aviobileta, hotele dhe derivate gjatë 10 muajve?
Foto: Laura Hasani

Sa shpenzoi kryeministri Kurti për aviobileta, hotele dhe derivate gjatë 10 muajve?

Ekonomia December 04, 2023 - 12:36

Hiç më pak se 23 mijë euro i kanë kushtuar buxhetit të shtetit shpenzimet e kryeministrit Albin Kurti vetëm për bileta për udhëtime jashtë vendit, për akomodim, karburant për vetura dhe shpenzime të tjera.

Këto shpenzime kapin periudhën janar-tetor të këtij viti.

Shpenzimet janë siguruar pas kërkesës për qasje në dokumente publike në Zyrën e Kryeministrit.

Afër 20 mijë euro në bileta udhëtimi e akomodim shpenzoi Albin Kurti

Shpenzimet më të mëdha nga kryeministri Albin Kurti gjatë 10 muajve janë bërë për bileta të udhëtimit jashtë vendit.

Vetëm për bileta të udhëtimit jashtë vendit kryeministri Kurti ka shpenzuar 12,373.65 euro.

Kurse, për akomodim i pari i ekzekutivit ka shpenzuar nga buxheti i shtetit 6,247,14 euro.

Mbi 4 mijë euro shpenzoi për karburante të veturave kryeministri Kurti gjatë 10 muajve

4,198.96 euro janë shpenzuar për karburant të veturave nga kryeministri Kurti.

Nga Zyra e Kryeministrit kanë treguar për Front Online edhe disa shpenzime të tjera që kapin vlerën prej 212 eurove, porse nuk kanë treguar se për çfarë janë bërë këto shpenzime.

Më 16 tetor kryeministri Kurti kishte udhëtuar për në Tiranë, ku mori pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit.

Ndërsa më 8 tetor Kurti udhëtoi për në Mbretërinë e Bashkuar.

Më 22 shtator i pari i Qeverisë udhëtoi për në Zvicër.

Kryeministri Albin Kurti gjatë periudhës janar-tetor kishte pasur edhe udhëtime të tjera zyrtare jashtë vendit.