Falja e borxhit për tatimin në pronë, Komuna e Prishtinës pritet të marrë vendim të enjten

Falja e borxhit për tatimin në pronë, Komuna e Prishtinës pritet të marrë vendim të enjten

Ekonomia December 04, 2023 - 11:24

Gjykata Kushtetuese ditë më parë mori vendim sa i përket çështjes së faljes së tatimit në pronë.

Sipas këtij vendimi, komunat duhet të vendosin vetë për faljen e tatimit në pronë dhe se ligji i kontestuar nga komunat nuk është në kundërshtim me ligjin e pushtetit lokal.

E tashmë disa prej komunave kanë marrë vendim për të falur borxhin për tatimin në pronë.

Ndërkaq Komuna e Prishtinës ende nuk ka marrë ndonjë vendim sa i përket kësaj çështjeje.

Zëdhënësja e Komunës së Prishtinës, Arlinda Kastrati, ka thënë për Telegrafin se vendimi pritet të merret në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal që do të mbahet të enjten, më 7 dhjetor.

“Për faljen e borxhit të tatimit në pronë duhet të merret vendim nga Kuvendi Komunal, rrjedhimisht kryeqyteti ka caktuar mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme më datë 7.12.2023, ku pikë e rendit të ditës do të jetë vetëm ‘Propozim-vendimi për faljen e tatimit në pronë për pronën e paluajtshme për vitin tatimor 2023’”, deklaroi Kastrati.