Prezantohen masat e reja për subvencionim të pajisje efiçiente për ngrohje për biznese

Prezantohen masat e reja për subvencionim të pajisje efiçiente për ngrohje për biznese

Ekonomia November 22, 2023 - 18:47

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori sot pjesë në lansimin e masave për subvencionim për pajisje efiçiente për ngrohje për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme.

Në fjalën e tij, ai u shpreh shumë i lumtur që së bashku po e nisim masën e gjashtë me radhë - programin e efiçiencës së energjisë për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, pas sukseseve të programeve të efiçiencës të energjisë në sektorin rezidencial.

“Me investimin në pajisje efiçiente, bizneset do të kursejnë dukshëm në faturat e tyre të energjisë elektrike. Kjo masë do të ndikojë në mënyrë direkte jo vetëm në buxhetin e tyre por edhe në buxhetin e shtetit. Sa më i suksesshëm sektori privat, aq më e mirë edhe ekonomia vendore dhe buxheti i Republikës’’, tha kryeministri.

Image

“Efiçienca e energjisë është një nga masat kosto-efektive që ne mundemi t’i ndërmarrim, andaj edhe tani, po vazhdojmë t’i mbështesim bizneset kosovare që të investojnë në investime më të qëndrueshme dhe afatgjate, shtoi ai.

Po ashtu, krahas masave të efiçieincës së energjisë, kryeministri renditi tre veprimet kryesore që janë ndërmarr deri më tani për të ulur ndikimin e krizës energjetike te bizneset dhe familjet.

E para është subvencionimi i tarifave të reja për secilën familje dhe biznes në vend që nga shkurti i vitit 2022; e dyta, është subvencionimi i faturave të energjisë elektrike për familjet kursimtare, dhe e treta – subvencionimi shtesë për familjet e cenushme me të ardhura të ulëta.

Ndërkaq ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli me këtë rast tha se janë duke punuar për kapacitetet e reja gjeneruese, me një varg projektesh prej 1.2 miliardë euro që do të zhvillohen dhe tenderohen përgjatë dy viteve, dhe të gjitha këto në burime të ripertëritshme të energjisë solare dhe të erës, si dhe në kapacitete të baterive për akumulim dhe për stabilizim e frekuencës gjë që mundëson teknikisht të rritet fleksibiliteti dhe të mundësohet integrimi i këtyre projekteve në sistemin energjetik.

Image

Ajo shtoi se gjatë vitit të kaluar për herë të parë kanë pasur një masë të subvencionimit për amvisëri me 5 milionë euro, me të cilën janë subvencionuar rreth nëntë mijë familje. Rreth 40% është ulur konsumi i energjisë elektrike në familjet të cilat janë subvencionuar, kjo është bërë në kuadër të Pakos emergjente 75 milionëshe nga Bashkimi Evropian.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, tha se si Ministri kanë hartuar një strategji ambicioze për zhvillimin e industrisë dhe mbështetjen e bizneseve cila është miratuar në qershor të këtij viti dhe përmes kësaj strategjie synohet të përmirësohet mjedisi i biznesit në Kosovë.

Image

Këtë vit për herë të parë është duke investuar një shifër rekord prej 35 milionë euro në programet e efiçiencës së energjisë për sektorin rezidencial dhe bizneset – që njëherësh shuma më e madhe ndonjëherë e investuar në Kosovë.

Ky investim është mundësuar falë mbështetjes nga Komisioni Evropian në kuadër të pakos emergjente për energji prej 75 milionë euro.

Image

Për këtë kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen dhe falënderimin e tij.

Masat që u prezantuan synojnë mbështetjen e bizneseve mikro, të vogla dhe të mesme, si investim në instalimin e pajisjeve efiçiente për ngrohje, e të cilat përfshijnë: Pompë termike; Kondicioner/ klimë efiçiente (pompë termike ajër-ajër të tipit inverter me efiçiencë të lartë); Kaldaja me biomasë (dru, pelet, briket); Stufa individuale me biomasë.

Lansimi dhe prezantimi i masave u bë në Parkun për Teknologji Digjitale “Tech Park Prishtina” në Bërnicë, investim ky prej 1.2 milion eurosh nga Qeveria e Kosovës, e që u inaguruar në tetor të këtij viti.

Image

Aplikimi për subvencionim është e ndarë në dy faza dhe në të dy fazat aplikimi bëhet online përmes platformës e-Kosova: https://rks-gov.net/476

Afati i fundit për aplikim për fazën e parë është 12 dhjetor 2023 ose deri në shpenzimin e buxhetit të alokuar për këtë thirrje. Aplikimet e pranuara në fazën e parë do të shqyrtohen bazuar në parimin “Kush Aplikon i pari, shërbehet i pari”. Ndërsa, afati i fundit për fazën e dytë është deri me datën 10 janar 2024.

Fjala e plotë e kryeministrit:

Prishtinë, 22 nëntor 2023

E nderuara ministre e Ekonomisë, znj. Artane Rizvanolli,

E nderuara ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari,

I nderuari z. Alessandro Bianciardi, përfaqësues i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë,

Të dashur qytetarë dhe përfaqësues të bizneseve,

Zonja dhe zotërinj,

Të nderuar të pranishëm,

Ju faleminderit të gjithëve që jeni sot këtu bashkë me neve në lansimin e programit të efiçiencës së energjisë për ndërmarrjet Mikro, të Vogla dhe të Mesme.

Këtë vit për herë të parë është duke u investuar një shifër rekord prej 35 milionë euro në programet e efiçiencës së energjisë për sektorin rezidencial dhe bizneset – që njëherësh është shuma më e madhe ndonjëherë e investuar në Kosovë. Ky investim është mundësuar falë mbështetjes nga Komisioni Evropian në kuadër të pakos emergjente për energji prej 75 milionë euro.

Në kuadër të zbatimit të programit kombëtar, duke filluar nga pranvera e këtij viti kemi filluar me një seri masash.

E kemi nisur programin për efiçiencë të energjisë për ndërtesat e banimit social, në vlerë prej 10 milionë euro, nga i cili përfitojnë 13 komuna për renovimin dhe përshtatjen për efiçiencë të 28 ndërtesave për banim social.

Në gusht pastaj kemi vazhduar me hapjen e thirrjen për termoizolim të shtëpive për qytetarët, po ashtu me vlerë prej 10 milionë euro, për të cilin kemi pranuar 2 mijë aplikime.

Në të njëjtin muaj, po ashtu hapur thirrja për subvencionimin e pajisjeve elektroshtëpiake efiçiente dhe sistem solar për ngrohjen e ujit sanitar, për të vazhduar më tej me hapjen e thirrjes për subvencionimin e pajisjeve ngrohëse efiçiente. Edhe ky program ka vlerën prej 10 milionë euro dhe numri i qytetarëve që kanë aplikuar për të tri skemat është mbi 20 mijë.

Pas sukseseve të programeve të efiçiencës të energjisë në sektorin rezidencial, nga aty po zgjerohemi edhe në sektorin e bizneseve pra – për çfarë edhe jemi mbledhur këtu sot.

Andaj, unë jam shumë i lumtur që së bashku po e nisim masën e gjashtë me radhë - programin e efiçiencës së energjisë për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme.

Tanimë është e njohur për të gjithë ne se lufta në Ukrainë ka shkaktuar luhatje në tregun e energjisë, çmimet e energjisë elektrike dhe të gazit natyror janë rritur dukshëm. Ndonëse, Kosova, burim kryesor e ka linjitin, lehtë të ekstraktueshëm, ne jemi ndikuar nga këto çmime, veçanërisht gjatë sezonës së dimrit kur konsumi është më i lartë kryesisht për shkak të ngrohjes me energji elektrike. Rrjedhimisht kemi qenë të detyruar të importojmë me çmime të larta.

Për ta ulur ndikimin e krizës energjetike te bizneset dhe familjet – ne kemi bërë tri gjëra kryesore, e para është - kemi subvencionuar tarifat e reja për secilën familje dhe biznes në vend që nga shkurti i vitit 2022; e dyta - kemi subvencionuar faturat e energjisë elektrike për familjet kursimtare, e kemi shpërblyer familjen që ka kursyer; dhe e treta – subvencionim shtesë për familjet e cenushme me të ardhura të ulëta për shkak se e dimë se si varfëria bëhet sëmundje atëherë kur nevojat janë të mëdha dhe nuk ekziston mbështetja.

Efiçienca e energjisë është një nga masat kosto-efektive që ne mundemi t’i ndërmarrim si shtet në këtë kohë, andaj edhe tani, po vazhdojmë t’i mbështesim bizneset kosovare që të investojnë në investime më të qëndrueshme dhe afatgjate.

Sektori i energjisë është sektor me rëndësi strategjike për zhvillimin ekonomik të vendit tonë dhe nuk ka dyshim që dyfishimi i eksportëve që ka ndodhur gjatë këtyre dy viteve e gjysmë një faktor të rëndësishëm e ka çmimin e lirë të energjisë elektrike për të gjitha bizneset anë e mbanë komunave të Kosovës. Por gjithashtu edhe furnizimi i besueshëm dhe i sigurt me energji është prioritet për Qeverinë tonë përveçse të jetë çmim i përballueshëm pra.

Këtë e kemi dëshmuar me fillimin me prej projekteve më të mëdha dhe inovative në vendin tonë që i kemi filluar siç është ndërtimi i kapaciteteve akumuluese të energjisë me kapacitet prej 170 MWh për dy orë pra gjithsejtë 340 MWh energji, ngrohjes qendrore diellore me kapacitet prej 50 MW, parkut solar në KEK me kapacitet prej 100 MW, lansimin e ankandit të parë të teknologjisë solare me kapacitet 100 MW, aplikimi është i hapur deri më 31 janar të vitit të ardhshëm. Ndërkaq në mes të vitit të ardhshëm do të kemi edhe ankandin për 150 MW energji të gjeneruar sërish nga burimet e ripërtëritshme por kësaj radhe nga era.

Me investimin në pajisje efiçiente, bizneset do të kursejnë dukshëm në faturat e tyre të energjisë elektrike. Kjo masë do të ndikojë në mënyrë direkte jo vetëm në buxhetin e tyre por edhe në buxhetin e shtetit. Sa më i suksesshëm sektori privat, aq më e mirë edhe ekonomia vendore dhe buxheti i Republikës.

Programet e zbatimit të masave të eficiencës së energjisë në sektorin rezidencial pra banues kanë qenë gjithëpërfshirëse duke ju ofruar mbështetje të veçantë prindërve vetushqyes dhe qytetarëve në mbështetje të skemës sociale sepse aty ku nevojat janë më të mëdha duhet të ndërhyjmë më shumë dhe më shpejt.

Për bizneset kemi një qasje të ngjashme duke iu ofruar mbështetjen më të lartë të subvencionit për bizneset në pronësi apo në bashkëpronësi të grave nga pesëdhjetë e një për qind (51%) e tutje meqenëse ne besojmë që nuk mund të kemi barazi shoqërore pa pasur barazi gjinore dhe unë i përkas asaj rrymë të mendimit makroekonomik që sa më e vogël pabarazia në shoqëri aq më e madhe kërkesa agregate në ekonomi.

Lansimi i këtij programi i financiuar nga Komisioni Evropian tregon përkrahjen e vazhdueshme të miqve tanë për zhvillimin e ekonomisë së Republikës së Kosovës, andaj e falënderoj Zyrën e BE-së dhe Komisionin Evropian për mbështetjen të cilën na që na e kanë ofruar e na e kanë dhënë. U jemi përjetë mirënjohës!

Ju faleminderit të gjithëve. /Zëri