Kosova miraton marrëveshjen me Holandën për sigurime shoqërore

Kosova miraton marrëveshjen me Holandën për sigurime shoqërore

Ekonomia November 22, 2023 - 14:48

Në mbledhjen e 174-t të Qeverisë së Kosovës, me propozimin e ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, u miratua Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes për sigurime shoqërore në mes të Kosovës dhe Mbretërisë së Holandës.

Përmes këtij projektligji garantohet njohja e dyanshme e kontributeve të sigurimeve shoqërore të të dyja vendeve. MFPT-ja u mundëson të gjithë atyre që kanë punuar ose vazhdojnë të punojnë në Holandë që pas arritjes së moshës së pensionimit të marrin pensionet në vendin ku ata jetojnë.

"Kjo shënon një arritje të madhe në fushën e sigurimeve shoqërore për arsye se lehtëson barrën e qytetarëve tanë që jetojnë jashtë vendit në realizimin e së drejtës së tyre për pension dhe njëkohësisht thellon bashkëpunimin ndërmjet të dyja vendeve në fushën e sigurimeve shoqërore", thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financave. /Zëri