MINT-i vendos rregulla të reja për qiradhënien e veturave
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka bërë një udhëzim administrativ sa i përket veprimtarisë së qiradhënies së automjeteve.
Në njoftimin e bërë nga Ministria thuhet se tashmë do të jenë disa kritere rreth dhënies së veturave me qira.
“Për herë të parë në Republikën e Kosovës përcaktohen kushtet për ushtrimin e veprimtarisë së operatorëve ekonomikë që ushtrojnë veprimtarinë e qiradhënies së automjeteve. Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, nënshkroi sot udhëzimin administrativ për shoqëritë tregtare, me të cilin përcaktohen kushtet dhe kriteret e ofrimit të shërbimeve të automjeteve me qira (rent-a-car)”, thuhet në njoftim.
Sipas këtij udhëzimi, ndër të tjera, shoqëritë tregtare që ushtrojnë veprimtarinë e ofruesit të shërbimeve të automjeteve me qira obligohen të regjistrohen në regjistrin e turizmit sipas kërkesave të Udhëzimit Administrativ për Regjistrin e turizmit brenda 30 ditëve nga dita e fillimit të ushtrimit të veprimtarisë.
Po ashtu, me Udhëzimin e ri Administrativ parashihet që ofruesit e shërbimit të automjeteve me qira duhet të lidhin kontratë në secilin rast të ofrimit të automjeteve me qira dhe gjatë gjithë kohës duhet të kenë të regjistruara dhe të siguruara të gjitha automjetet sipas legjislacionit përkatës për sigurimin e detyrueshëm nga autopërgjegjësia.
Gjithashtu operatorët obligohen të kenë së paku 10 (dhjetë) automjete të përshtatshme për vozitje.
Ky udhëzim administrativ hyn në fuqi 7 ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare dhe do të mbikëqyret nga Inspektorati i Tregut, në kuadër të MINT-it.