Bizneset organizojnë lojëra fati duke shfrytëzuar mungesën e bazës ligjore
Lojërat shpërblyese në Kosovë veprojnë pa asnjë bazë ligjore qysh nga viti 2019, kur ka hyrë në fuqi Ligji për ndalimin e Lojërave të Fatit. Qysh nga ajo kohë, bizneset e ndryshme në vend u bëjnë thirrje qytetarëve që të luajnë për të fituar shpërblime në shuma të mëdha parash. Inspektoratet në Kosovë i kanë duart të lidhura pasi që asnjë nga to nuk ka kompetenca monitoruese mbi mbarëvajtjen e tyre dhe rrezikun për keqpërdorim.
Luaj dhe fito, bëhu me banesë luksoze në qendër të Prishtinës, fito veturë të tipit me të ri, gjeje shpërblimin dhe fito 100 mijë euro para të gatshme. Këto janë vetëm disa nga thirrjet që bizneset e mëdha iu bëjnë konsumatorëve, duke i joshur të blejnë produktet e tyre.
Por qytetarët thonë se nuk u besojnë këtyre lojërave.
Lojërat shpërblyese në Kosovë veprojnë pa asnjë monitorim, qysh nga viti 2019 kur edhe u shfuqizua Ligji për Lojërat e Fatit.
Oda Ekonomike e Kosovës bën thirrje që ky sektor të rregullohet sa më shpejt, që të mos abuzohet me mungesën e tillë ligjore nga ana e bizneseve si dhe të ruhet edhe imazhi i bizneseve që veprojnë në vend.