Tkurren eksportet dhe importet në Shqipëri, shkak zhvlerësimi i euros dhe rënia e konsumit
Kompanitë shqiptare shitën më pak mallra në tregjet e huaja edhe gjatë gushtit, duke thelluar kështu ecurinë negative të nisur në mars.
Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se muajin e shkuar vlera totale e produkteve të eksportuara ra në më pak se 27.5 miliardë lekë nga mbi 35 miliardë gushtin e një viti më parë. Humbja në këtë rast përllogaritet në gati 7.7 miliardë lekë ose mbi 72 milionë euro.
Kjo kryesisht si pasojë e tkurrjes së eksporteve të materialeve të ndërtimit apo metalet, ndjekur nga industria tekstile, prodhimet e drurit, pjesët e këmbimit dhe ushqimet e pijet. Vetëm produktet kimike dhe plastike regjistruan ecuri pozitive gjatë gushtit.
“Kryesisht është kursi i këmbimit ai që po sjell këtë ecuri kaq negative.. Gjithashtu, tregjet e tjera po ofrojnë çmime më të lira se ne. Po ka më pak kërkesë për produktet tona”, thotë ekonomisti Klodian Muço.
Në një kohë që eksportet e mallrave regjistruan rënien më të thellë mujore të këtij viti gjatë gushtit që nga periudha e pandemisë, ecuri të ngjashme po tregojnë edhe importet. Të dhënat e INSTAT tregojnë se muajin e shkuar vlera e mallrave të blerë nga jashtë ra në më pak se 68 miliardë lekë nga mbi 79 miliardë gushtin e 2022-shit, duke regjistruar kështu një rënie me gati 15 për qind.
Kjo si pasojë se krahasuar me një vit më parë vendi rezulton të ketë importuar më pak energji elektrike, produkte kimike e plastike apo lëndë të parë për fasonët. Gjithashtu, gjatë gushtit u blenë nga jashtë më pak ushqime dhe pije, ndërsa importet janë zgjeruar vetëm te makineritë dhe pjesët e këmbimit.
“Jemi në periudhë inflacioniste. Njerëzit janë përqendruar vetëm te shporta bazë. Dalja e prodhimit vendas duket se ka pasur ndikimin e vet te rënia e importeve. Gjithashtu, për shkak të zhvlerësimit të remitancave kemi më pak kërkesë”, shtoi Muço.
Marrë në harkun e 8 muajve, eksportet e mallrave shqiptare nuk e kalojnë shifrën e 300 miliardë lekëve, duke u tkurrur kështu me mbi 28 miliardë apo 8.5 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë kohore të një viti më parë.
Ndërkohë, importet në harkun e muajve janar-gusht përllogariten në rreth 577 miliardë lekë nga mbi 607 miliardë në po të njëjtën periudhë të 2022-shit duke regjistruar kështu një tkurrje me 5 për qind./A2 CNN